Pas marrëveshjes së nënshkruar me grupet parlamentare, kryeministri Rama u shpreh se pavarësisht kundërshtisë së Murrizit, ai ka bindjen se marrëveshja e “5 qershorit” do të votohet këtë të enjte në Kuvend.
Ai theksoi se tashmë opozita jashtë parlamentit e ka një datë për votimin e marrëveshjes dhe duhet të vijojë që nesër dialogu në Këshillin Politik.
“Jam i kënaqur me marrëveshjen, pasi kemi arritur një konsensus të gjerë edhe pse jo total për '5 qershorin' dhe një konsensus të plotë për hapjen e listave, por edhe për të vazhduar procesin gjithë përfshirës së bashku me opozitën jashtë parlamentare. Një orë e më parë do të ishte mirë të mblidhet Këshilli Politik dhe të diskutojmë sepse kemi hapur një diskutim dje dhe tani jemi në kushtet kur duhet të flasim konkretisht. Nga një anë, opozita jashtë parlamentit kërkonte të dinte datën e saktë dhe tashmë e ka.
Kemi bërë goxha debat për pikën 1, sidomos me Murrizin, ndërsa kemi pasur sinjale inkurajuese nga dy kryetarët e grupeve të tjerë dhe besoj se do të ishte mirë që edhe Murrizi të bashkohej në konsensus të plotë, kam bindjen që do ta kalojmë 5 qershorin. Problemi është se opozita nuk ka një formacion të unifikuar. Nesër do të jemi në këshillin politik. Marrëveshja e sotme dhe e 5 qershorit janë dokumente që duhet të kthehen në materie ligjore.
Rama e mbylli fjalën e tij me një thirrje për Bashën. "I bëj thirrje Bashës të mos bëjë gabimet e të shkuarës duke refuzuar tryezat”, tha Rama.
Në marrëveshjen e firmosur këtë të martë thuhet se këtë të enjte do të votohet marrëveshja e “5 qershorit”, ndërsa më 30 korrik do të votohet hapja e listave. Por, pas daljes nga takimi, Myslim Murrizi, përfaqësues i grupin demokrat parlamentar, u shpreh se grupi që ai përfaqëson nuk do ta votojnë marrëveshjen e 5 qershorit.
Ai theksoi se në marrëveshjen e sotme me mazhorancën ka lënë shënim se është kundër pikës 1, ku theksohet se më 23 korrik do të votohet në kuvend marrëveshja e 5 qershorit. Edhe deputeti Ralf Gjoni u shpreh se ai do të votojë kundër marrëveshjes së 5 qershorit.
Ndërkohë, Damian Gjiknuri ka propozuar mbledhjen e Këshillit Politik ditën e mërkurë në orën 17:00 në ambientet e Pallatit të Kongreseve, me rend ditë diskutimin mbi propozimet për ndryshime në Kushtetutë sa i takon sanksionimit të hapjes së listave. Gjiknuri thekson se në tryezë do të marrë pjesë edhe kryeministri Rama. (A2 Televizion)