
Në ditën e tretë të vizitës në Japoni, kryeministri Edi Rama u takua me homologun e tij Fumio Kishida. Pas një takimi që u cilësua prej tyre i frytshëm, kreu i qeverisë shqiptare tha se dy vendet edhe pse janë larg gjeografikisht duhet të bashkohen dhe sipas tij kjo vjen nëse qytetarët nuk kanë kufizime në lëvizje.
“Kështu që duke shpresuar se së shpejti qeveria japoneze do të bëjë të mundur që shqiptarët të udhëtojnë pa viza në Japoni ashtu siç japonezët mund ta bëjnë tashmë drejt Shqipërisë, ne presim me padurim që ky bashkëpunim të forcohet”, deklaroi Rama.
Kryeministri i Japonisë bëri të qartë se forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve nuk mund të bëhej i veçuar, pa përfshirjen e shteteve të tjera në Ballkanin Perëndimor.
“Realizimi i paqes dhe prosperitetit rajonal në Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, është e rëndësishme jo vetëm për Evropën, por edhe përbashkësinë ndërkombëtare në përgjithësi, përfshirë Japoninë. Nga ky këndvështrim përmes nismës për bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor, Japonia synon të forcojë mbështetjen tonë për reformat e nga vendeve të Ballkanit Perëndimor në përpjekjen e tyre për t’u bashkuar, për t’u anëtarësuar në BE dhe do të vendosë një ambasador përgjegjës për Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Fumio Kishida.
Ky vendim u mirëprit nga Rama, i cili tha se është shumë e rëndësishme prania e Japonisë në rajonin tonë.
“Është lajm i shkëlqyer të dëgjosh se qeveria juaj angazhohet të emërojë një ambasador përgjegjës për Ballkanin Perëndimor”, tha Rama.
Në takimin mes dy kryeministrave një vëmendje të veçantë ka marrë dhe ekonomia dhe thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve me qëllim shtimin e import-eksporteve. (A2 Televizion)