
Komisionieri europian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, mbërriti sot në Tiranë në saj të vizitës së tij dy-ditore nisur dje në Maqedoninë e Veriut.
Në një deklaratë të përbashkët pas takimit, kryeministri Rama u shpreh se Shqipëria do të bëjë të gjitha gjërat që do të kishte bërë edhe po të ishin hapur negociatat në fund të vitit të shkuar.
Po ashtu, ai theksoi se është duke u përfunduar edhe ekspertiza ndërkombëtare për të hapur një ofensive shembullore ndaj eksponentëve të krimit të organizuar.
“Kemi diskutuar për procesin e integrimit dhe kemi ndarë pikëpamjet se çfarë ka ndodhur dhe se çfarë mund të presim nga ky vit. Shqipëria do të bëjë të gjitha gjërat që do të kishte bërë edhe po të ishin hapur negociatat në fund të vitit të shkuar, pasi kjo është e vetmja rrugë për ne. Pavarësisht arritjes apo mos arritjes së konsensusit nga Këshilli Europian për hapjen e negociatave. E kam informuar komisionerin për të gjithë ecurinë e proceseve. E kam informuar edhe për iniciativën e re që do të aktivizojnë në ditët në vijim. Jemi duke përfunduar edhe ekspertizën ndërkombëtare për të hapur një ofensive shembullore ndaj eksponentëve të krimit të organizuar, si dhe ndaj atyre gjykatësve dhe prokurorëve, si në rastin e para dy ditëve, i përkasin organizatës KÇK dhe po e përdorin autoritetin e tyre në këtë fazë të ndërmjetme për të bashkëpunuar hapur me krimin”, tha Rama. (A2 Televizion)