
Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Bruksel për të zhvilluar një takim me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, ku padyshim pjesë e diskutimeve do të jetë situata në veri të Kosovës. Kreu i qeverisë sheh si zgjidhje zhvillimin e një konference pa afat kohor mes Kosovës dhe Serbisë nën drejtimin e NATO-s ku të nënshkruhet marrëveshja e normalizimit të marrëdhënieve mes palëve.
Ai ka kritika për dy liderët, Aleksandar Vuçiç dhe Albin Kurti, sipas së cilëve po mendojnë për pozitat e tyre në politikat e brendshme, duke lënë në plan të dytë dialogun për paqen në rajon.
“Sapo kemi mbërritur në Bruksel, ku pas pak do të takohem me Presidentin e Këshillit Europian, mikun e çmuar të Shqipërisë dhe rajonit tonë, Charles Michel. Do t’i përcjell mikut tonë shqetësimet e mëdha për situatën kritike në rajon dhe bindjen time mbi domosdoshmërinë e një konference pa afat kohor, ku të mbyllur brenda mureve të një strukture mikpritëse nën kujdesin e bashkësisë euro-atlantike, liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllin krejt pikat e marrëveshjes së normalizimit. Fatkeqësisht, së fundmi, të dyja palët i kanë sytë te fronti i politikës së brendshme dhe te sondazhet e përflakura nga retorika nacionaliste. Ndërsa dialogut jetik për të ardhmen e krejt rajonit dhe marrëdhënieve me botën demokratike, u kanë kthyer kurrizin”, shkruan Rama. (A2 Televizion)