Rama njofton shembjen e godinës së Infektivit: Afër përmbylljes së një marrëveshjeje për vaksinën

Nga A2 CNN
25 Dhjetor 2020, 13:42 | Aktualitet
Rama njofton shembjen e godinës së Infektivit: Afër

Nga shërbimi Infektiv, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, dhanë lajmin se kjo godinë do të shembet vitin tjetër për t’i lënë vendin një godine të re me standarde më të mira.

“Mesa duket, kjo godina do ta mbyllë në mënyrë të lavdishme, se pas kësaj lufte do të bëhet godina e re”, tha Rama.

“Me miratimin e kredisë së BB tashmë Infektivi është përfshirë në planin tonë për t’u rindërtuar me standardet më të mira. Kështu vitin tjetër, duke shpresuar që pandemia të mos ketë këtë kurbë të madhe e mos të ketë këtë përballje me infeksionet e rritura, sepse dhe vaksina që presim në fillim të vitit do të lehtësojë, por kjo s’do të thotë që s’do e kemi armikun e padukshëm prezent do vijojmë zbatimin e rregullave deri sa të kthehemi në normalitet që të gjithë presim”, tha Manastirliu.

Me humor, kreu i ekzekutivit tha se dy profesorët e Infektivit, Najada Çomo dhe Tritan Kalo që do t’i vënë dinamitin godinës.

"Mbyllja e luftës do të jetë me ceremoni. Profesoresha me profesorin me sustat në dorë për t’i vënë dinamitin kësaj, e për të filluar ndërtimin që është një prej pjesëve të fundit të gjithë rindërtimit të QSUT", tha Rama.

Një tjetër lajm të rëndësishëm që dha kreu i qeverisë është përmbyllja e një marrëveshjeje për vaksinën dhe në fillim të viti do të jenë dozat e para për personelin shëndetësor.

“Jemi shumë afër përmbylljes së një marrëveshjeje me disa komponentë për vaksinën. Besoj që në fillim të vitit do të kemi edhe dozat e para që sigurisht janë për ju dhe pastaj do ta përshkallëzojmë. Ju do të vaksinoheni shumë shpejt, çështje javësh besoj”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos