Rama: Nuk ka situatë në pikat kufitare, rezidentët në vendet e tjera nuk do të lejohen

Nga A2 CNN
6 Prill 2020, 13:47 | Aktualitet
Rama: Nuk ka situatë në pikat kufitare, rezidentët në vendet

Kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk asnjë situatë në pikat kufitare më shqiptarë të bllokuar dhe që duan të kthehen në vendet e tyre. Sipas tij bëhet fjalë për 19 mjete të bllokuar në Kapshticë të personave që janë rezidentë në vende të tjera dhe që duan të kthehen në Shqipëri pa pasur asnjë lloj emergjence.

“Në Kakavijë nuk ka asnjë problem, nuk ka asnjë që do të hyjë. Në Kapshticë kemi 19 makina të personave që janë rezidentë në Greqi dhe nuk kanë asnjë urgjencë të posaçme, por kërkojnë të hyjnë për të takuar familjen, Në një kohë tjetër kjo do të ishte absurde, por në këtë kohë kjo është e vetmja rrugë që ne kemi. Nga ana tjetër, kush bën patriotin, kush bën vajtimtarin për shkeljet e të drejtave të njeriut, përmes pengesës që i krijohet këtyre njerëzve, thjesht synon të nxisë katastrofën.

Kreu i qeverisë paralajmëroi një proces të ri të ndërmjetëm në pikat kufitare ku rezidentët në vendet e tjera që kthehen pa asnjë arsye nuk do lejohen ndërsa të tjerë po, por duhet të qëndrojnë në karantinë për 14 ditë me shpenzimet e veta. Edi Rama akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha se është në nxitje të një zinxhiri vdekjesh.

“E them këtë pa asnjë dyshim. Është një fakt i njohur botërisht që Sali Berisha ka synim të shkatërrojë Shqipërinë për llogaritë e tij halucinante. E solla këtë emër si zanafillën e një procesi skandaloz politik në nxitje të rrëmujës, që në këtë rast është nxitje e një zinxhiri vdekjesh.Është e patolerueshme që njerëzit të nxiten të shkojnë në kufij. Ata janë të mbyllur për të mbrojtur jetën. Ne kemi vendosur që brenda 24 orëve të ardhshme të hyjmë në një proces të ndërmjetëm. Kush do të vijë në kufij tokësore me dokumente rezidence në vende të tjera nuk do të lejohet të hyjë. Kush do të vijë në kufij me pretendime të një natyre tjetër do të karantinohet në hotel me shpenzimet e veta. Aty do të marrë ushqimin dhe do të paguajë vetë një çmim fiks”, u shpreh kryeministri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos