
Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, i ftuar në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, deklaroi se opozita do të përdorë debatin në Parlament dhe protestat për të larguar kryeministrin Edi Rama.
“Justifikimi më bajat që mund të ketë është se nuk mund të ngremë komision parlamentar se kemi në plan të ndryshojmë ligjin për komisionet parlamentare. Kjo është e paimagjinueshme. Këta e kanë humbur logjikën, përveçse nuk kanë frikë nga asgjë”, tha Baçi.
Kur u pyet se si mund të kontestohet nga PD ajo që e quan shkelje kushtetuese, Baçi u përgjigj: “Debat në Parlament dhe e fundit që ka ngelur, dalja e qytetarëve në shesh. Rama nuk ndalon ndryshe, duket që nuk e dëshiron më një opozitë parlamentare. Kërkon opozitën false dhe të vazhdojë vetë të mbretërojë. Njerëzit duhet të ngrihen, Shqipëria është në një sistem monist tashmë”.
Ndërsa nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari, theksoi: “Kryeministri ka kryer tradhti kombëtare, korrupsion të drejtpërdrejtë ndaj një ish-zyrtari të FBI-së. Tani ka përballë opozitën reale dhe prandaj nuk shkon në Parlament të përballet me debatin. Ky është i përfshirë dhe nuk ka çfarë i thotë shqiptarëve. Ai është i mandatuar për të shkuar në Parlament dhe të japë llogari, por nuk shkon sepse ndihet fajtor”.
“Strategjia e Edi Ramës është një strategji e cila krijon ngjarje dhe skandale që ta çojë vëmendjen diku tjetër. Po të mos ishte i përfshirë në këtë çështje, nuk do të linte vend pa dalë për të folur”, shtoi Braimllari. (A2 Televizion)