
Kryeministri Rama u shpreh në një konferencë për shtyp, këtë të martë, se financimi i Partisë Demokratike me para ruse për të rrëzuar qeverinë është fakt. Ai kërkoi që të mos vendoset shenja e barazisë me një fakt si ky dhe akuzave të ngritura së fundi nga PD-ja për portin e Durrësit dhe lidhjeve të kryeministrit me Vuçiç.
“Nuk besoj se është e vështirë të bëhet dallimi mes komentit të një fakti dhe të akuzave pa fakte. Që PD-ja është financuar me para ruse gjysmë milioni dollarë për të rrëzuar PS-në, kjo nuk është një akuzë, por një fakt i dokumentuar për fat të keq. Një fakt i zbuluar nga media në SHBA, i përqeshur gjerësisht nga shumëkush këtu dhe i konfirmuar nga raporti i shërbimit Sekret Amerikan, CIA.
Ndërkohë, akuzat me serbë apo nuk e di çfarë tjetër, janë prodhime të një tërbimi të madh, i një tërbimi non grata dhe spiunësh, për investimin më të madh të huaj në rajon, i cili do të jetë një investim krenarie kombëtare, do të transformojë Durrësin, do të rrisë vlerën e pasurive të patundshme në të gjithë zonën e Durrësit, do të rrisë vlerën dhe çmimet e hotelerisë në të gjithë zonën e Durrësit, do të rrisë punësimin në Durrës e Tiranë. Të ngresh akuza në Hava është një fatkeqësi e madhe. Por ne e kemi bërë zgjedhjen, jemi në anën e dinjitetit dhe të krenarisë kombëtare”, tha Rama.
Rama shtoi më tej se Partia Demokratike nuk është e vetmja parti që është financuar nga rusët. “Fjalët e mia nuk dalin kot. Unë nuk hedh fall, nuk flas pa fakte”, tha Rama. (A2 Televizion)