Rama: Për herë të parë, një president çon letra në Bruksel për të minuar urën me Evropën

Nga A2 CNN
6 Mars 2020, 10:48 | Politikë
Rama: Për herë të parë, një president çon letra

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në Twitter pas letrës që presidenti Ilir Meta i ka dërguar eurokomisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, ku shprehet i keqardhur sa i përket progres raportit të fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë.

Çfarë ka shqetësuar presidentin është një fjali e raportit në lidhje me konfliktin për Gjykatën Kushtetuese, që i atribuohet një interpretimi të ndryshëm të presidentit. Në letrën e tij, Meta pranon konfliktin, por thekson se është mazhoranca socialiste ajo që ka një interpretim ndryshe të procedurës së emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Kreu i qeverisë shkroi: "Për herë të parë që nga krijimi i Bashkimit Evropian, një president çon letra në Bruksel për të minuar urën mes Evropës e vendit të tij! Për herë të parë në historinë e zgjerimit të BE-së, një vend kandidat ka Brukselin PRO dhe presidentin e vet KUNDËR vendit e KUNDËR vetë Brukselit. Sa nisi terapia intensive e Reformës në Drejtësi, nisi dhe reaksioni me temperatura të larta në organizmin e shtetit të sëmurë prej kancerit të korrupsionit! Përpëlitjet e ethshme me bojkote, molotovë, dekrete janë thjesht pasoja të intensitetit të terapisë mbi kancerin. Shqipëria mund ta marrë, mund të mos e marrë PO-në që meriton nga Këshilli Evropian, po ama kurimi deri në fund i sëmundjes dërrmuese që i ka ngrënë trupin e shpirtin prej 30 vjetësh, as mund dhe as do ndalet dot me kriza të turpshme të provokuara nga terapia e Reformës në Drejtësi". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos