
Rudina Hajdari, e ftuar në studion e “Dita jonë” në A2, ka bërë të ditur se takimi i sotëm i tryezës për Reformën Zgjedhore është shtyrë nga opozita.
“Ka patur disa zhvillime momentet e fundit. Opozita e bashkuar e ka anuluar takimin e ditës së sotme, duke e shtyrë për të hënën. Nuk është mirë që të shtyhen takimet, pasi 15 marsi është javën tjetër. Ishte ditë e rëndësishme, sidomos për mua, duke qenë se sot do të flitej për ndryshimin e sistemit, por mbrëmë në darkë vonë erdhi njoftimi se do të shtyhet takimi”, deklaroi Hajdari.
“Urojmë që të mos jetë bojkot, por ndihem e shqetësuar për këtë fakt sepse është hera e dytë që tema e ndryshimit të sistemit shtyhet. Duhet të kuptojmë që kjo reformë bëhet për shqiptarët, dhe ashtu siç kemi dëgjuar propozimet e opozitës, dhe kemi qenë të hapur, edhe opozita duhet të ketë durim dhe të dëgjojë propozimin e opozitës në parlament dhe shqetësimet e saj”, shtoi Hajdari. (A2 Televizion)