Rama: Pranë sigurimit të një sasie vaksinash nga Astrazeneca. Ironizon opozitën

Nga A2 CNN
15 Shkurt 2021, 13:23 | Politikë
Rama: Pranë sigurimit të një sasie vaksinash nga Astrazeneca.

Kryeministri Rama ka njoftuar se Shqipëria është pranë sigurimit të një sasie të konsiderueshme të vaksinës Astrazeneca. Përmes një postimi në Facebook, kreu i qeverisë tha se sot mbërrijnë 7020 doza të vaksinës Pfizer.

“Sot, nis me 7020 doza lëvrimi i përjavshëm i vaksinës anti-covid nga kontrata me Pfizer dhe intensifikimi i planit të vaksinimit, ndërkohë që jemi shumë pranë sigurimit të një sasie dozash të konsiderueshme nga vaksina Astrazeneca”.

Rama përsëriti deklaratën e ministres Manastirliu sa i përket aktivizimit të spitaleve rajonale për përballimin e trajtimit të koronavirusit, ndërsa apeloi për respektimin e masave kufizuese deri në afatin e përcaktuar.

“Aktivizohet sot skenari i parë i përfshirjes së spitaleve rajonale për përballimin e nevojës për shtrime në spital, ndërkohë që respektimi i masave kufizuese në fuqi mbetet domosdoshmëri deri në afatin e përcaktuar nga Komiteti Teknik”.

Sipas Ramës, mbi 90 mijë teste të shpejta janë kryer në 54 pikat e testimit në komunitet përveç testit PCR, ndërkohë që vijon intensifikimi i përpjekjeve në terren për të këputur hallka të zinxhirit të infektimeve.

Kryeministri ironizon opozitën, e cila sulmon qeverinë sa i përket menaxhimit të pandemisë dhe sigurimit të vaksinave.

“Zotimet e atyre që thonë se vaksinat do i sigurojnë në mbledhjet e partive simotra apo që drejtojnë gishtin e akuzës ndaj qeverisë, ndërkohë që Shqipëria është një nga dy vendet e vetme në rajon që ka siguruar nisjen e vaksinimit, janë një arsye për ta neveritur politikën e futjakotësisë!” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos