
Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë konferencës për shtyp me presidentin e Këshillit Europian, Charles Miches, se intensifikimi i vizitave të liderëve të lartë europianë në Tiranë, është një tregues që Shqipëria është në rrugën e duhur drejt integrimit europian.
Pasi falënderoi Michel për mbështetjen e palëkundur pas tërmetit dhe gjatë pandemisë, Rama tregoi se gjatë bisedimeve me zyrtarin e lartë europian bisedoi dhe për situatën në Ukrainë dhe reforma në drejtësi.
“Përsëri në një kohë të shkurtër, presidenti Charles rikthehet në Tiranë. E nënvizova fjalën përsëri, pasi është e rëndësishme që për një moment të bëjmë dallimin mes periudhës së disa viteve më parë në raport me vizita dhe me intensitetin e komunikimit mes Shqipërisë dhe BE-së, gjë që besoj se tregon se përtej vështirësive të procesit, aspekteve të formalizimit të hapave të mëtejshëm për t'u hedhur, jemi në një nivel tjetër të bashkëjetesës në suazën europiane, si rezultat i një vullneti më të shprehur nga BE-ja për të afruar më shumë Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Europian.
Jemi mirënjohës për mbështetjen e BE-së në momentet më të vështira, që nga tërmeti dhe deri te pandemia, pasi janë momente që kanë shënuar pika të rëndësishme në forcimin e marrëdhënieve. Dëshiroj të theksoj se jemi krenarë që jemi pjesë e frontit të përbashkët kundër së keqes, duke pasur parasysh konfliktin në Ukrainë. Folëm me Michel për situatën e përgjithshme, për angazhimet dhe sfidat për luftën në Ukrainë. Folëm për procesin në vigjilje të Këshillit Europian, ku Shqipëria dhe RMV janë në agjendë për çeljen formale të negociatave për anëtarësim. Folëm për reformën në drejtësi, e cila po jep fryte domethënëse. Të gjithë e ndoqën dje operacionin e SPAK për të goditur një rrjet kriminal, duke i dhënë një goditje të rëndësishme krimit të organizuar”, tha Rama. (A2 Televizion)