Rama publikon Kosovën si pjesë të Serbisë, harta edhe në tekstet shkollore

Nga A2 CNN
22 Nëntor 2019, 16:31 | Sociale
Rama publikon Kosovën si pjesë të Serbisë, harta edhe

Shqipëria gabon sërish me Kosovën. Nuk zunë shumë vend në median tonë publikimet e medias serbe të hartës që, sipas saj, ishte objekt pune në takimin e Ohrit Rama-Vuçiç-Zaev.

Por, kur harta që tregon Kosovën pjesë të ish-Jugosllavisë u publikua edhe në faqen zyrtare të kryeministrit në Facebook këtë javë, vërshuan kritikat në vend dhe në Kosovë. Nëse kreu i qeverisë e korrigjoi pas disa orësh hartën, kjo nuk mund të ndodhë kaq shpejt me tekstet shkollore.

Bëhet fjalë për të njëjtën hartë që e gjejmë në librin e Qytetarisë së klasës së 8, ku gjatë ilustrimit të tekstit, kufiri i Serbisë arrin deri në Morinë. Për pedagogët e gjeografisë, ky është gabim i pafalshëm nga autorët e tekstit.

Prej kohësh, stafet akademike kërkojnë që tekstet të hartohen nga profesionistë dhe të shtohen filtrat për eleminimin e gabimeve. Por, për drejtorin e Institutit të Historisë, Beqir Meta, ky nuk është vetëm një gabim i një autori, por skandal i qeverisë shqiptare.

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini e ka cilësuar gabim të paqëllimshëm nga ana e autorit dhe shtëpisë botuese.

E ndërsa libri do të korrigjohet vitin e ardhshëm në ribotim, hartografët i sugjerojnë qeverisë shqiptare të rinovojë të gjitha hartat për të mos cenuar interesat kombëtare të vendeve të tjera, aq më tepër kur bëhet fjalë për Kosovën, tokën shqiptare përtej kufirit, që është në prag të 12-vjetorit të pavarësisë.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos