Presidenti Ilir Meta komentoi këtë të enjte propozimin për ndryshime kushtetuese, duke u shprehur se ndryshimet janë antikushtetuese, janë kundër parimeve të Komisionit të Venecias dhe duhet të nisin të paktën 1 vit para datës së zgjedhjeve.
Menjëherë ka reaguar me anë të një postimi në Twitter, kryeministri Rama, duke u shprehur se nuk do të ndryshojë as sistemi dhe as koalicionet nuk do të ndalohen , ndërsa ndryshimet do të miratohen nga kuvendi.
“Ilir Meta thotë ndryshimi i sistemit, heqja e koalicioneve, hapja e listave bëhen vetëm me referendum! Askund nuk bëhet referendum për këto çështje. Ndërsa këtu as sistemi s'do ndryshojë, as koalicionet s'do ndalohen, po listat do hapen nga Kuvendi i Shqipërisë me ligj, me zakon e me karton!”
Më tej, Rama shkruan se modeli i ri do të jetë ai gjerman. “Sa për modelin lindor, modeli i koalicionit që kemi s'është as perëndimor, as jugor, as verior dhe prandaj nuk gjendet askund në lindje a në perëndim! Modeli i ri do të jetë gjerman e plotësisht europian, koalicion tamam, me zë, figura e program, jo kosh karavidhesh pa din as iman!” (A2 Televizion)