Rama uron Thaçin për ditëlindje: Izolimi në Hagë, absurd. Ti dhe historia e Kosovës jeni një

Nga A2 CNN
24 Prill 2021, 13:46 | Politikë
Rama uron Thaçin për ditëlindje: Izolimi në Hagë,

Kryeministri Edi Rama ka uruar ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi në 53-vjetorin e lindjes, i cili ndodhet prej muajsh në burgun e Hagës. Në postimin e tij kreu i qeverisë shqiptare shpreh dhimbjen e pamundësisë për të dëgjuar zërin e Thaçit, ndërsa e quan absurd izolimin e tij në Hagë.

“I dashur Hashim, nuk e di a më lexon dhe nuk di as si je e si shkojnë ditët e tua, në atë izolim krejt absurd ku je i detyruar të qëndrosh për Zoti e di se sa kohë ende! Por unë gjithsesi dua të ta uroj sot ditëlindjen, nga larg dhe me dhimbjen e pamundësisë për të dëgjuar zërin tënd e bërë shakatë me jetën në telefon, po ama besomë, duke u ndjerë pranë teje më shumë se çdo herë më parë. Eh, paska qenë e shkruar që ti dhe historia e Kosovës të jeni një, në vuajtje e në gëzime, një simbiozë e hatashme mes një njeriu që i përkushtohet vendit të vet, si një dashurie pa kushte dhe një vendi që e sprovon atë deri në ekstrem”.

Për Ramën, historia e Kosovës dhe Hashim Thaçi janë një në vuajtje e në gëzime, teksa shpreh besimin për durimin e pathyeshëm të ish-presidentit të Kosovës për të mabjtur mbi vete tavanin poshtërues, sipas tij, të burgut të Hagës.

“Ti më ke treguar dikur se si numëroje yjet për të mos të të zënë gjumi prej rraskapitjes nëpër shtigjet e luftës, kur ishe një hije në kërkim prej armiqve të tu e të popullit tënd! E tani e marr me mend se yjet duhet t'i kërkosh me zor, nëpër tavanin e ulët që aq shumë i ngjan qiellit të Kosovës së sotme. Por duke ta njohur fortësinë e materialit me të cilin je gatuar, nuk e kam të pamundur të marr me mend durimin e pathyeshëm, me të cilin ti arrin ta mbash mbi vete atë tavan poshtërues, pa e përkulur trupin e imagjinatës tënde”, shkruan Rama.

Postimi i plotë i kryeministrit Rama:

I dashur Hashim,

nuk e di a më lexon dhe nuk di as si je e si shkojnë ditët e tua, në atë izolim krejt absurd ku je i detyruar të qëndrosh për Zoti e di se sa kohë ende! Por unë gjithësesi dua të ta uroj sot ditëlindjen, nga larg dhe me dhimbjen e pamundësisë për të dëgjuar zërin tënd e bërë shakatë me jetën në telefon, po ama besomë, duke u ndjerë pranë teje më shumë se çdo herë më parë.

Eh, paska qenë e shkruar që ti dhe historia e Kosovës të jeni një, në vuajtje e në gëzime, një simbiozë e hatashme mes një njeriu që i përkushtohet vendit të vet, si një dashurie pa kushte dhe një vendi që e sprovon atë deri në ekstrem. 20 vite janë shumë fare për njeriun, po për historinë janë sa një ditë dhe përgjatë kësaj dite ti ke provuar lindjen në errësirë, fëmijërinë në agimin e mjegullt, rininë në paraditen e nxehtë përzier me erën e gjakut të shokëve, drekën plot hare e brohoritje fitimtarësh, burrërinë në pasditen e ecjes së gjatë nëpër Kosovë mes plagëve, halleve e shpresave dhe tash ndalesën pa kohë të muzgut - muzg i njëkohshëm me muzgun që në Kosovë i ngjan një agimi të rrejshëm. Dhe ja, simbioza me historinë e tokës tënde, ty të ka caktuar ta dëshmosh me mungesën tënde atë rrenë, teksa me praninë duhet të përballesh me malin e lartë me rrena që fati yt i shenjuar, ka vendosur përkohësisht mes teje dhe Kosovës tënde në këtë muzg të thellë.

Ti më ke treguar dikur se si numëroje yjet për të mos të të zënë gjumi prej rraskapitjes nëpër shtigjet e luftës, kur ishe një hije në kërkim prej armiqve të tu e të popullit tënd! E tani e marr me mend se yjet duhet t'i kërkosh me zor, nëpër tavanin e ulët që aq shumë i ngjan qiellit të Kosovës së sotme. Por duke ta njohur fortësinë e materialit me të cilin je gatuar, nuk e kam të pamundur të marr me mend durimin e pathyeshëm, me të cilin ti arrin ta mbash mbi vete atë tavan poshtërues, pa e përkulur trupin e imagjinatës tënde. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos