
Burime të A2 kanë konfirmuar se kryeministri Edi Rama, si kryetar në detyrë i OSBE, do të vizitojë Moskën.
Kreu i qeverisë do të vizitojë Moskën në 26 shkurt.
Deri tani është konfirmuar takimi me ministrin e Jashtëm, Sergey Lavrov. Burime diplomatike i thanë A2 se pala shqiptare ka kërkuar që Rama të ketë takim edhe me Vladimir Putin.
Sot, Edi Rama, si kryetar i radhës i OSBE-së, ka folur për Ukrainën dhe situatën në këtë vend në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Rama tha se ka një situatë të rënduar në zonën e kontaktit dhe theksoi se që nga dhjetori ka 69 të vdekur dhe 20 mijë incidente.
Rama kërkoi mundësinë e vendosjes së një misioni paqeruajtës në këtë zonë.
Shmangia e përshkallëzimit të situatës në Ukrainë është një nga prioritetet që renditi kryeministri gjatë marrjes së presidencës së OSBE në Vjenë. (A2 Televizion)