
Gjatë komunikimit me qytetarët në Facebook, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha foli mbi mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
“Tre janë dhe kërkesat kryesore që kemi. Së pari, vendit t’i
jepet mundësia, përmes zgjedhjeve të parakohshme, të zgjedhë një parlament
legjitim, që të jetë produkt i votës së qytetarëve. Të jenë qytetarët ata që do
të vendosin për cilën parti, për cilin program, për cilët deputetë do të votojnë.
Së dyti, që ky proces të garantohet, rregullat e lojës të jenë të barabarta për
të gjithë.
Së treti, që këto rregulla loje të zbatohen, të kemi një arbitër të panashëm
dhe jo një qeveri, e cila, për hir të pushtetit apo aferave, në të cilat është
zhytur, është gati të shkatërrojë procesin zgjedhor, vetëm e vetëm të mbajë
pushtetin. Për këtë arsye, ne i qendrojmë pikë për pikë kërkesave që kemi
parashtruar prej datës 16 shkurt të vitit të kaluar, zgjedhje të parakohshme me
një qeveri tranzitore pa këtë kryeministër, sepse, në fund të fundit, është ky
kryeministër dhe kjo qeveri që kanë vjedhur zgjedhjet”, tha Basha.
Më tej, kreu demokrat shtoi: “Kërkesat tona janë fare të thjeshta. Kërkesa jonë kryesore është: mos vidh! Po dëgjoni shpesh që njerëzit më problematikë, që janë kapur duke vjedhur zgjedhjet, duke blerë vota me krimin e organizuar, na japin leksione mençurie çfarë do të bëjmë me zgjedhjet. Çfarë do të bëjmë me zgjedhjet? Mos vidh! Ju jeni hajdutët e zgjedhjeve, mos i vidhni zgjedhjet! Nuk është çështje dëshire për t’i besuar dikujt që ka vjedhur jo një, jo dy, por tre palë zgjedhje, edhe një palë zgjedhje pa kunërshtarë, siç ishte 30 qershori. Prandaj, qeveria tranzitore është një garanci. Siç funksionon në Maqedoni, le të funksionojë edhe në Shqipëri”. (A2 Televizion)