
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Rithemelimit, Oerd Bylykbashki, theksoi se Fredi Belerin nuk e ndalon asnjë ligj të betohet si kryebashkiak i Himarës, por sipas tij, zgjedhja e Belerit i prishi planet Ramës për të vjedhur pronat e bregdetit në jug.
Bylykbashi shtoi më tej se arrestimi politik i Belerit tregon kontrollin e Ramës mbi drejtësinë në vend.
“Fredi Beleri është kandidati i koalicionit të madh opozitar ‘Bashkë Fitojmë’ që më 14 maj 2023 u zgjodh me votën e zgjedhësve si kryetar i bashkisë së Himarës, një prej 61 bashkive të Shqipërisë. Fredi Beleri kandidoi, u votua e u zgjodh sipas te drejtave që Kushtetuta e Shqipërisë u njeh dhe garanton në mënyrë të barabartë të gjithë shtetasve të Shqipërisë pa asnjë dallim politik, racor, etnik apo diskriminim të ndonjë lloji tjetër.
Është parim themelor i OSBE-së që një i zgjedhur duhet të fillojë ushtrimin e detyrës pa asnjë vonesë.
Fredi Beleri e ka marrë mandatin nga KQZ. Asnjë ligj në Shqipëri nuk pengon betimin e Fredi Belerit si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës edhe duke qenë i pandehur në paraburgim. Me Kushtetutë, ai është i pafajshëm dhe gëzon të gjitha të drejtat kushtetuese dhe ligjore. Betimin e tij e pengon pa ligj apo më mirë të themi me ligjin e mafies, vetë kryeministri Edi Rama.
Sot Fredi Beleri është i burgosur politik dhe mbahet në paraburgim në kundërshtim me kriteret e ligjit për arrestimin si masë sigurie penale.
Ai u arrestua vetëm dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit, pas një aktiviteti fushate. Fredi Beleri u arrestua vetëm dy ditë pasi Kryeministri Edi Rama, duke premtuar që do të merrej personalisht me të, de facto urdhëroi në një emision televiziv arrestimin e tij.
Policia e politizuar e shtetit që qeveris Edi Rama dhe Partia Socialiste, sajoi me nxitim arrestimin në flagrancë për shit-blerje vote, por asnjë provë nuk u gjet gjatë arrestimit. U sajua nga policia një dëshmitar që pretendon se ka marrë para për votën por ai nuk arrestohet si shitës vote sepse procesi është i montuar. Edi Ramës i duhet në burg vetëm Fredi Beleri, kandidati i PBDNJ në kuadër të koalicionit opozitar Bashkë Fitojmë i udhëhequr nga Partia Demokratike.
Në një regjim hibrid si ky i Edi Ramës, nuk ka rëndësi vendimi përfundimtar i një gjykate të pavarur. Regjimit i duhet arrestimi. Ai bën lajm më shpejt se një vendim fajësie apo pafajësie dhe i heq qafe Ramës një kundërshtar para zgjedhjeve.
Koncepti komunist që shtetasit më parë arrestohen e më pas sajohen provat në dosje, nuk është thjesht një njollë e zezë e të shkuarës, por një rrezik aktual që i kanoset lirive dhe të drejtave të çdo shtetasi pa asnjë dallim politik, racor apo etnik.
Veprimet e Drejtësisë sërish kanë konfirmuar katërçipërisht kapjen e saj politike nga Edi Rama nëpërmjet të ashtuquajturës Reformë në Drejtësi”, tha Bylykbashi. (A2 Televizion)