Raporti i demokratëve: Prova dërrmuese kundër Trump

Nga A2 CNN
4 Dhjetor 2019, 10:32 | Bota
Raporti i demokratëve: Prova dërrmuese kundër Trump

17 intervista dëshmitarësh e muaj të tërë punë, përmblidhen të gjitha në një raport prej 300 faqesh, të demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve.

Paneli që zhvilloi hetimet, tha se provat për abuzime nga ana e presidentit Donald Trump janë dërrmuese, dhe se veprimet e tij ndaj Ukrainës kishin kompromentuar sigurinë kombëtare. 

“Ky raport tregon skemën e përdorur nga Trump për të detyruar një aleat të përfshihet në punët e pista të presidentit”, tha Adam Schiff, kryetar i komisionit të inteligjencës.

Raporti ndahet në dy seksione. Njëri lidhet me Ukrainën; demokratët citojnë telefonatën mes Trump dhe presidentit ukrainas Volodimir Zelensky, gjatë së cilës, kreu i Shtëpisë së Bardhë i kërkoi homologut të hetojë ish zv/presidentin Joe Biden.

Seksioni i dytë, ka të bëjë me pretendimet se Shtëpia e Bardhë u përpoq të pengonte hetimet. 

“Nuk kam bërë asgjë të keqe. Demokratët janë çmendur”, tha presidenti Trump.

Para se draft-raporti të bëhej publik, republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve publikuan një raport të vetin prej 123 faqesh ku dënonin dëshmitarët, të cilët i quajtën burokratë jo të zgjedhur. 

“Nuk ka asnjë provë dërrmuese atje. I vetmi votim dypalësh që kemi pasur në këtë dhomë është për të mos e vazhduar hetimin për shkarkimin e presidentit”, u shpreh Liz Cheney. 

Komisioni i inteligjencës e aprovoi raportin sipas linjave partiake, me 13 vota pro e 9 kundër dhe tani do ta dorëzojë atë në komisionin e drejtësisë, në Dhomën e Përfaqësuesve. Edhe atje do të zhvillohen seanca e do të hartohen aktakuzat kundër presidentit Trump.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos