
Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka publikuar raportin e ndërmjetëm mbi monitorimin e procesit paragjedhor për zgjedhjet lokale të 14 majit ku ka renditur disa nga problematikat e hasura gjatë fushatës elektorale.
Sipas KSHH, në disa KZAZ lista e zgjedhjeve është publikuar përtej afatit ligjor që parashikohet ose në disa raste të tjera zgjedhësit kanë patur pengesa dhe vështirësi në aksesin e tyre për t’u njohur me përmbajtjen e listave, për shkak të formës që është përzgjedhur nga administrata zgjedhore vendore për afishimin e tyre.
Ligji parashikon që kryetari i njësisë duhej të kryente lajmërimin me shkrim për çdo zgjedhës të përfshirë në ekstrakt, duke i lajmëruar ndër të tjerash qendrën e votimit.
KSHH shpreh keqardhjen se kjo problematikë rezulton e përsëritur zgjedhjet e mbajtura vitet e fundit në vendin tonë, ndërkohë që rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për këtë çështje, mbeten të pazbatuara.
Komiteti i Helsinkit vlerëson faktin se KQZ ka realizuar një fushatë sistematike, të shtrirë në mënyrë të arsyeshme në kohë, për edukimin e zgjedhësve si dhe me anë të rrjeteve sociale dhe faqes zyrtare të internetit.
Refuzimi i regjistrimit të subjektit zgjedhor PD nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve shihet si një ndër vendimet e diskutueshme të KQZ që solli vonesa në regjistrimin e koalicioneve, regjistrimin e kandidatëve dhe plotësimin e një pakice anëtarësh të KZAZ-ve.
Pjesë nga raporti i Komitetit të Helsinkit
Numri i sanksioneve administrative për veprimtaritë e ndaluara dhe shpërdorimin e aseteve rezulton më i lartë në raport me zgjedhjet e kaluara, si dhe hetimet administrative kanë qenë relativisht më të shpejta. Në vlerësimin tërësor të KShH-së ka munguar roli pro-aktiv monitorues i zbatimit të vendimmarrjeve përfundimtare të KQZ-së (sikurse është ndalimi për rishpërndarjen e postimeve me karakter politik të Ministrave nga institucionet shtetërore).
Pavarësisht se data 14 Prill duhet të ishte data e fillimit të fushatës, rezulton se subjektet zgjedhore kanë zhvilluar takime elektorale qysh prej muajit Dhjetor të vitit të kaluar. KQZ ka qenë në dijeni të këtyre fakteve të bëra në shumë raste publike në media, por Kodi Zgjedhor nuk parashikon sanksione në këtë drejtim.
Në vigjilje të fushatës zgjedhore zyrtare, KShH dënoi ashpër dhe i bëri thirrje prokurorisë që të hetojë aktin kriminal me rrezikshmëri të theksuar shoqërore ndaj kreut të PD-së në Vaun e Dejës, Z. Bernard Ndreca, nëpërmjet vendosjes në makinën e tij, të një sasie eksplozivi. Gjithashtu, janë konstatuar edhe akte rastësore (sporadike) vandalizmi.
Pavarësisht këtyre rasteve, në tërësi fushata nuk është shoqëruar me incidente të rënda. Megjithatë, është shumë shqetësues fakti se ajo është realizuar në një klimë tepër e polarizuar politike. Kjo klimë ka reflektuar me elementë të theksuar të gjuhës së urrejtjes dhe akuzave të ndërsjellta, në cënim të dinjitetit njerëzor ndaj drejtuesve dhe kandidatëve të subjekteve zgjedhore. Fushata zgjedhore e pasqyruar në media është përqëndruar më së shumti në retorikat midis drejtuesve të partive politike, ndërkohë që debati dhe ballafaqimi i platformave midis kandidatëve të forcave të ndryshme politike ka munguar. (A2 Televizion)