Tabela kundër kullës 35 katëshe përplas Myftininë me bashkinë e Shkodrës

Nga Senad Nikshiqi
6 Nëntor 2025, 13:58 | Aktualitet

Përfaqësues të Myftinisë Shkodër dhe të bashkisë janë përplasur ditën e sotme lidhur me një tabelë të vendosur nga Myftinia në qendër të qytetit.

Policia bashkiake e hoqi atë tabelë me pretendimin se është vendosur pa leje dhe zë hapësirën publike.

Në tabelën përballë punimeve për kullën me 35 kate tabela shkruante: “Kush grabit padrejtësisht qoftë edhe një pëllëmbë tokë në ditën e Kiametit, Allahu ka për t’i varur në qafë edhe shtatë palë tokë”.

Myftinia pretendon se toka ku po ndërtohet kulla me 35 kate tek hotel “Turizmi” është pronë e saj, Kishës Ortodokse dhe familjes Laçej dhe e ka quajtur një grabitje që po i bëhet.

Myftinia vendosi edhe tabelën përballë kullës, ndërsa bashkia Shkodër menjëherë ka ndërhyrë duke bërë të mundur heqjen e saj.

Përfaqësuesit e Myftinisë u shprehën se kjo tabelë ka shumë vite që qëndron aty duke vendosur thënie të ndryshme të Pejgamberit Muhamed apo edhe hadithe siç ishte ky i fundit për grabitjen e tokës, por tabela u hoq pavarësisht kundërshtisë së Myftinisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos