
Provohet edhe njëherë që të bësh gazetari është shumë e vështirë. Janë 49 gazetarët e vrarë gjatë këtij viti në të gjithë botën, por pavarësisht kësaj, mbetet shifra më e ulët e 16 viteve të fundit.
Kjo është bërë e ditur nga raporti vjetor i organizatës joqeveritare “Reporterët Pa Kufij”, i publikuar së fundmi.
“Reporterët kanë humbur jetën duke i shërbyer fjalës së lirë në Siri, Jemen dhe Afganistan”, bën të ditur organizata me seli në Paris dhe rikujton se “gazetaria mbetet një profesion i rrezikshëm”.
Në dy dekadat e fundit, mesatarja e reporterëve që humbisnin jetën në punë ishte 80 në vit. Organizata ka vënë theksin tek një e dhënë alarmante: ajo e gazetarëve të vrarë në shtete që janë zyrtarisht në paqe. Vetëm në Meksikë numërohen 10 reporterë të vrarë. Amerika Latine me një total prej 14 gazetarësh, që humbën jetën këtë vit, thuajse barazon Lindjen e Mesme që numëron 19 gazetarë të vrarë.
“Gjithmonë e më shumë po shtohen rastet e gazetarëve të vrarë për punën e tyre në shtetet demokratike. Kjo paraqet një sfidë të vërtetë për demokracinë”, tha Christophe Deloire, “Reporterët pa kufij”.
Ndërsa ulet numri i gazetarëve të vrarë, rritet ai atyre që janë burgosur. Rreth 390 reporterë janë arrestuar dhe ndaluar në 2019, 12% më tepër krahasuar me 2018. Rreth gjysma e atyre që përfunduan pas hekurave përqendrohen në tre shtete: Egjipt, Arabi Saudite dhe Kinë.
Organizata Reporterët pa Kufij kanë përfshirë në raport edhe një tjetër bilanc, atë të atyre që mbahen peng. 57 gazetarë në të gjithë botën janë rrëmbyer dhe pjesa më e madhe në Siri, Jemen, Irak dhe Ukrainë. (A2 Televizion)