
Shqipëria rezulton si vendi më pak i lumtur në rajon, në raportin e ri për lumturinë në botë të publikuar nga rrjeti për Zgjidhje të Qëndrueshme Zhvillimore për OKB-në.
Raporti është një studim historik i gjendjes së lumturisë ne 156 vende, i cili merr në shqyrtim 6 faktorë kyç për mirëqenien; të ardhurat, lirinë, besimin, pritshmwrinë për jetë të shwndetshme, suportin social dhe bujarinë.
Fokusi këtë vit ishte gjithashtu te ndikimi i teknologjisë, normave shoqërore, konflikteve dhe politikave qeveritare.
Kosova kryeson mes vendeve të rajonit, duke u pozicionuar e 46-ta, e ndjekur nga Serbia, Mali i Zi, Kroacia, Bosnje Hercegovina, Maqedonia dhe në fund Shqipëria.
Për të dytin vit radhazi Finlanda, atdheu i Santa Klaus, kurorëzohet si vendi më i lumtur në botë. Sipas raportit, të lumtur janë jo vetëm finlandezët, por edhe emigrantët që jetojnë atje. Ata gëzojnë mbështetje të fortë sociale, i besojnë qeverisë dhe jetojnë të lirë.
Pas saj renditen Danimarka, Norvegjia, Islanda e Holanda. Ndërkaq vendet më të palumtura rezultojnë Sudani Jugor, Republika e Afrikës Qendrore dhe Afganistani.
Raporti publikohet me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Lumturisë shënohet më 20 mars. (A2 Televizion)