Rastet e trombozës, AstraZeneca mbetet e bllokuar në Suedi, Norvegji dhe Danimarkë

Nga A2 CNN
19 Mars 2021, 14:10 | Bota
Rastet e trombozës, AstraZeneca mbetet e bllokuar në Suedi, Norvegji

Norvegjia, Suedia dhe Danimarka do të vazhdojnë të bllokojnë përdorimin e vaksinës AstraZeneca, edhe pse Agjencia Europiane e Barnave e vlerësoi atë si të sigurt dhe të efektshme.

Të trija vendet thanë se do të shqyrtonin me kujdes përfundimin EMA-s se përfitimet e vaksinës i tejkalojnë rreziqet. Autoritetet shëndetësore në Norvegji thanë se për shkak të rasteve serioze të mpiksjes së gjakut te personat e vaksinuar në vend, situata do të vlerësohej me kujdes para arritjes në një përfundim.

Më herët gjatë së enjtes, një ekip mjekësor tha se çrregullimet e rënda të gjakut lidheshin me vaksinën e AstraZeneca. Profesori i hematologjisë në Universitetin Spitalor të Oslos, tha se mund të shpjegonin atë që kishte ndodhur me pacientët që kishin shfaqur mpiksje të gjakut pas vaksinës: “Këta pacientë kanë një përgjigje të fortë imunitare, diçka që ka çuar në krijimin e antitrupave që mund të prekin palatelet dhe mund të çojnë në mpiksje gjaku”. 

Ndërkaq, Agjencia e Shëndetit Publik në Suedi tha se rregullatori kombëtar po hetonte rastet e trombozës: “Agjencia e Shëndetit Publik ka nevojë për pak ditë për të analizuar situatën e për të vlerësuar se si mund të përdoret AstraZeneca në Suedi. Shpresojmë që javën e ardhshme do të bëjmë të ditur qëndrimin tonë”. 

Në Danimarkë, autoritetet shëndetësore thanë se atje ishin vëzhguar raste të rënda të mpiksjes së gjakut te personat që kishin marrë vaksinën e AstraZeneca.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos