
Reduktim tarifash dhe bursa. Kjo është një “Recetë” me të cilën Ministria e Arsimit mendon se mund të orientojë të rinjtë shqiptarë që të priren drejt mësuesisë në krizë. Për këtë objektiv do të sakrifikohet fondi i ekselencës, i dhënë prej vitesh për studentët që arsimohen jashtë vendit.
“Janë deri diku një stimul por i pamjaftueshëm. Kështu që rialokimi i fondeve në drejtim të mësuesisë është një vendim në drejtimin e duhur, por ka ende shumë për të bërë”, thotë eksperti i sektorit, Rinald Muça.
Nga ana tjetër eksperti Qemal Çejku thotë se ”do të kemi të njëjtët mësues, do të jetë një barrë fiskale që nuk do të ngrejë cilësinë por do të ngarkojë edhe më shumë buxhetin e shtetit”.
Një tjetër formulë, më të shtrirë në kohë dhe sistem, sugjerojnë njohës të çështjeve të arsimit dhe edukimit.
“Financimi vetëm për t’u arsimuar është vetëm pikënisja, mësuesit kanë një serë problemesh, pagat e ulta edhe pse janë rritur janë një stimul, por i pamjaftueshëm”, shton Muça.
Ndërkohë Çejku shton se “duhet të ndërrojmë diçka në nivelin e pikëve dhe përzgjedhjen e nxënësve, mësuesia duhet futur në lëndët prioritare, atëherë do të kemi rezultate”.
Vetëm këtë vit në vend janë mbyllur 46 programe studimi në fushën e mësuesisë dhe për shkak të interesit përherë e më shumë në rënie, kriza rrezikon të përshkallëzohet. (A2 Televizion)