
Në “Intervistë me Merita Haklaj”, Enkelejd Alibeaj, nënkryetar i PD, komentoi edhe ultimatumin nga komisioni për rithemelimin e PD ndaj Lulzim Bashës për të liruar zyrën deri më 5 janar.
Ai u shpreh se kjo nuk është fryma e PD. Sa i përket referendumit për shkarkimin e Bashës, Alibeaj e quajti “referendum në bilardo” me shifra të rreme.
“Kjo është fryma e PD? Kjo e bën këtë parti më të bashkuar dhe më të hapur? Referendum në bilardo, referendum me shifra të rreme. Të paktën për disa degë, unë e di se çfarë ka ndodhur, por nuk dua ta tregoj publikisht pasi dua të ruaj cipën e fundit të demokratëve. Kjo pastaj nuk mund të përdoret si një alibi që më 5 janar të mësyjmë te selia e PD.
Sjellja tjetër është kjo: Selia e PD është e të gjithë demokratëve. Ka vetëm një qasje, ne jemi PD dhe synimi ynë është të vijmë një orë e më parë në qeverisje dhe për ta bërë këtë, ne na duhen aleatë. Ne nuk e kemi luksin për të mos pasur në krah një aleatët si SHBA, që e ka bërë të qartë që nuk ka shans, zero, për PD që të vijë në qeverisje nëse nuk do të ndërmerrte atë akt të detyruar që u mor në shtator”, tha Alibeaj. (A2 Televizion)