
Moska nuk e ka lënë në heshtje deklaratën e Ramush Haradinajt në lidhje me një referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, nëse nuk do të ketë një avancim të vendit drejt BE-së. Ministria e Jashtme e Rusisë u përgjigj me një deklaratë zyrtare, të cilësi bëri jehonë edhe Ambasada Ruse në Shqipëri.
“Këtu po bëhet fjalë për një provokim të radhës, të implikuar në ideologjinë e Shqipërisë së Madhe, e cila kohët e fundit ka përparuar gjithnjë e më intensivisht në rajon dhe kërcënon drejtpërdrejt integritetin territorial të shteteve të Ballkanit. Shantazhi politik është i papranueshëm dhe pikërisht kështu duhet të interpretohet fjalimi i Ramush Haradinajit, i cili me lehtësi propozon të rishikojë në mënyrë arbitrare kufijtë në Ballkan”.
Reagimi i Moskës erdhi pas një takimi elektoral të Ramush Haradinaj në Kosovë, ku prezantoi programin e AAK-së së drejtuar prej tij, ndonëse vetë ai kërkon postin e Presidentit.
Vëmendja e Moskës ndaj Tiranës u shtua pak ditë më parë kur qeveria e Shqipërisë shpalli non grata një diplomat rus, për mosrespektim të masave anticovid. Këto akuza u cilësuan të pabazuara dhe të sajuara nga ambasada ruse. (A2 Televizion)