
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dënoi ashpër vendimin e një dite më parë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar listat e kandidatëve të disa subjekteve politike, mes të cilave dhe të Vetëvendosjes.
“Ajo çfarë ka ngjarë dje e ka lënduar procesin zgjedhor dhe integritetin e KQZ-së, por e kemi detyrë që me çdo kusht ta shpejtojmë këtë proces. Prandaj në asnjë moment dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojmë që të biem në kurthet që ndërtohen me qëllim që ky proces zgjedhor të parandalohet e të stërzgjatet. Zgjedhjet duhet dhe do të mbahen më 14 shkurt dhe qytetarët duhet të lejohen të realizojnë të drejtën e tyre kushtetuese e të votojnë për këdo që ata e përkrahin“, shkruan Osmani.
Gjatë një reagimi në rrjetet sociale, Osmani u shpreh se KQZ veproi me agjendë politike dhe shtoi se një gjë e tillë nuk do të lejohet të ndodhë sërish.
“Në rast se ballafaqohemi sërish me situata të tilla si ajo e djeshmja, ku abuzohet me KQZ-në si institucion i pavarur për të shtyrë përpara agjenda partiake, si dhe forum ku ushtrohet presion mbi shërbyesit civil, do të detyrohem të ndërmarrë të gjitha masat për mbrojtjen e integritetit të KQZ-së dhe të këtij procesi zgjedhor, ashtu siç e parasheh ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe ashtu siç më detyron Kushtetuta e vendit. Mbajtja e zgjedhjeve të lira është parakusht i funksionimit demokratik të një vendi, prandaj këtë test të demokracisë duhet ta kalojmë të gjithë së bashku me besim e maturi“, përfundoi ushtruesja e detyrës së presidentit. (A2 Televizion)