Referendumet në rajonet e pushtuara, Rusia pretendon fitoren, Zelensky: Shkelje brutale e kartës së OKB

Nga A2 CNN
28 Shtator 2022, 10:47 | Bota
Referendumet në rajonet e pushtuara, Rusia pretendon fitoren, Zelensky:

Zyrtarët e instaluar nga Moska në territoret e pushtuara në Ukrainë, pretendojnë se gati te gjithë votuesit në të ashtuquajturat referendume, kanë mbështetur bashkimin me Rusinë. Votimi që konsiderohet i paligjshëm dhe i rremë nga Kievi dhe perëndimi u zhvilluar përgjatë5 ditëve në 4 rajone; ato të Donjetsk, Luhansk, Zaporizhia dhe Kherson.

4 milionë njerëz u thirrën të merrnin pjesë në referendum, disa prej të cilëve nën kërcënimin e armëve. Agjencitë e lajmeve të kontrolluara nga administrata pro-Kremlinit në Donjetsk dhe Luhansk po raportojnë se 99 përqind e qytetarëve votuan në favor të bashkimit me Rusinë, një përqindje e lartë që do të ishte e pazakontë në një votim të këtij lloji.

“Miq të respektuar, referendumet u zhvilluan. Pritëm kaq gjatë për to, dhe ja ku kemi një rezultat kolosal. Nuk do të ishte e vërtetë nëse do të thoshim se nuk e prisnim një rezultat të tillë. Unë besoja dhe besoj te Donbas. E kemi ëndërruar këtë që në 2014-n dhe më në fund dita historike erdhi. Po ribashkohemi me tokën mëmë, me Rusinë e madhe”, tha kreu i republikës së vetëshpallur të Donetsk Denis Pushilin.

Ka spekulime se presidenti rus Vladimir Putin mund të njoftojë aneksimin e 4 rajoneve në një fjalim për parlamentin ditën e premte, ashtu siç bëri me Krimenë në vitin 2014. Nëse Rusia do të aneksojë rajonet, që përbëjnë 15 përqind të territorit ukrainas, lufta do të kalonte në një nivel të ri më të rrezikshëm. Ashtu siç ka paralajmëruar Moska do të konsiderojë çdo përpjekje për rimarrjen e tyre si sulm ndaj territorit të saj sovran.

Në një fjalim për këshillin e sigurimit mbrëmjen e së martës, presidenti Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë për shkelje brutale të kartës së OKB dhe bëri thirrje për izolimin e vendit. 

“Aneksimi i territoreve të kapura...është shkelja më brutale e Kartës së OKB-së. Kjo është një përpjekje për të grabitur territorin e një vendi tjetër. Kjo është një përpjekje për të fshirë normat e ligjit ndërkombëtar. Ekziston vetëm një mënyrë për ta ndalur të gjithë këtë. Së pari është izolimi i Rusisë në përgjigje të gjithçkaje që bën”, u shpreh Zelensky.

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë qarkulluar një draft-rezolutë mes vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, ku dënohen referendumet, u bëhet thirrje vendeve të mos njohin statusin e ndryshuar të Ukrainës dhe ta detyrojnë Rusinë të tërheqë forcat nga ky vend. Sekretari Amerikan i Shtetit përsëriti se perëndimi nuk do t’i njohë kurrë aneksimet dhe paralajmëroi për masa shtesë me pasojë të rënda.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos