
Asnjë ndryshim në kushtetutë, por vetëm ndryshime që synojnë përmirësimin e sistemit të drejtësisë, ka për qëllim grupi i punës i ngritur me deputetët e PS-së, grupimit të Alibeajt dhe ekspertët për të ndryshuar disa ligje të reformës në drejtësi. Kështu deklaroi kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka në Intervistën me Merita Haklajn në A2 CNN, sipas së cilës po trajtohen kërkesa që i shërbejnë sistemit afatgjatë. Bushka theksoi se puna është drejt përfundimit.
“Ramë dakord të krijonim grup pune me opozitën e ekspertë dhe vlerësuam nevojat dhe kemi ndaluar te nevojat që përmirësojnë funksionalitetin e sistemit dhe nuk parashikohen ndryshime të kushtetutës vetëm përmirësime. Kemi bërë dëgjesa me institucionet e drejtësisë kemi rënë dakord të adresojmë shqetësimet që e bëjnë sistemin funksional. Procesi i vetingut të magjistarit merr 6 muaj kohë dhe për pasojë vonesë në sistem dhe ne kemi menduar ta evitojmë, por të jetë vetëm një verifikim nga shkolla e Magjistraturës. Ndryshimet janë të gjitha të kësaj natyre, janë 6 ligje të reformës në drejtësi që do kenë rregullim, fuqizimi i shkollës së magjistraturës, edhe nisur nga sugjerimet e partnerëve ndërkombëtarë. Duhet kthyer në qendër ekselence dhe t’i japim shkollës mekanizma që ofron pedagogë. Ne po trajtojmë kërkesat që i shërbejnë sistemit afatgjatë. Ndryshimet janë teknike nuk ka ndryshime që cenojnë arkitekturën e reformës asnjë ndryshim kushtetues nuk merret në konsideratë. Jemi në fund të punës, presim mendime nga partnerët për draftet finale. Më pas draftet do të diskutohen në komisionin e ligjeve. Do të ketë konsultim publik dhe në fund pjesa e procedurës parlamentare”.
Për Bushkën edhe harta gjyqësore ka rritur eficencën dhe shanset që të gjitha çështjet e mbetura pezull të trajtohen në mënyrë të barabartë.
“Harta gjyqësore ka rritur eficencën duke i grupuar gjykatat në qarqe. Është shtuar numri i gjyqtarëve dhe është mundësia e specializimit. Do të kishte problematika zbatimi për shkak të vetingut, por ishin të parashikuara edhe masat që do merreshin. Harta gjyqësore ishte një nga këto, plotësimi i vakancave në magjistratë nga shkolla e magjistraturës po kështu. Do të duhet të kemi studentë të mirë. Çdo vit shkolla furnizon sistemin me magjistratë të rinj”. (A2 Televizion)