“Arnimi” i reformës në drejtësi, PS dhe grupimi Alibeaj drejt përfundimit, nuk preket kushtetuta

Nga A2 CNN
10 Mars 2023, 15:37 | Politikë
“Arnimi” i reformës në drejtësi, PS dhe grupimi

Prej muajsh 5 deputetë të komisionit të ligjeve, nga PS dhe grupimi Alibeaj, po punojnë së bashku me ekspertët për të ndryshuar sërish disa ligje të reformës në drejtësi. Kjo nevojë sipas socialistit Toni Gogo dhe demokrates Dhurata Çupi ka ardhur për shkak të mungesës së prokurorëve dhe gjyqtarëve në sistem.

I pari ndryshim që ka të bëjë me shkollën e magjistraturës ka dakordësinë e dy palëve.

“I gjithë sistemi nga futja në shkollë e tyre dhe deri tek karriera duhet riparë. Rregullimet janë bërë për një sistem normal, jo për një sistem ku i mungon mbi 40% të nevojës”, tha Gogu.

“Është propozuar që nga tre vite të bëhet me dy vite, edhe praktika të bëhet pjesë e vitit të tretë. Dhe në vitin e tretë magjistratët të jenë pjesë e trupave gjykuese. Ka një propozim që të ketë vetting vetëm në hyrje”, tha Çupi.

Nga këto ndryshime do të preken edhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor.

“Anëtarët e KLP dhe KLGJ që vijnë nga radhët e pedagogëve duhet të vetohen, pasi janë të vetmit të këtyre dy strukturave që nuk bëjnë vetting”, deklaroi Çupi.

Grupi i punës në Kuvend pritet t’i shtojë kompetenca Prokurorit të Përgjithshëm për kontrollin dhe emërimin e prokurorëve.

“Prokurori i Përgjithshëm dhe KLP nevojiten që të qartësohen se kush duhet të merret me administrimin e prokurorëve dhe kush me karrierën e prokurorëve”, u shpreh Gogu.

Në tavolinën e punës deputetët kanë edhe një kërkesë të SPAK për t’i dhënë drejtuesit të këtij organi të drejtën për të rikandiduar. Por PS dhe grupimi Alibeaj nuk janë gati që të ndërhyjnë në Kushtetutë për këtë.

“Nuk besoj se është kjo nevoja më e madhe që ka nevojë sistemi”, u shpreh Gogu.

 “Të dyja forcat politike kanë qenë kundër këtij parimi dhe nuk mendoj që nuk do të gjejë mbështetje, por nuk garantoi vendimmarrjen politike dhe diskutimin politik”, tha Çupi.

Sipas burimeve, ndërkombëtarët i kanë kërkuar Kuvendit që këto ndryshime të plotësohen në Kuvend brenda prillit, çka do të sillte një bashkim të votave mes socialistëve dhe demokratëve pasi këto ndryshime kërkojnë shumicë të cilësuar.

“Nuk bëhet fjalë as për ndarje as për bashkim, por për të siguruar një pushtet gjyqësor të pavarur”, thekson Çupi.

Politika e pranon që Mungesa e prokurorëve dhe gjyqtarëve ka shkaktuar jo pak probleme dhe vonesa në sistemin e drejtësisë.

“Një organizëm i sëmurë, në momentin që ka një ndërhyrje mjekësore nuk shkon që të nesërmen në punë”, theksoi Gogu.

Kur pritet të shërohet plotësisht drejtësia? Atë e ka në dorë sistemi, u përgjigj Gogu. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/07/24/reforma-ne-drejtesi-cfare-drejtesie-solli/
https://a2news.com/2021/09/16/reforma-ne-drejtesi-rama-kush-ka-llogari-te-hapura-me-ligjin-nuk-fle-me-i-qete/
https://a2news.com/2022/07/13/kryemadhi-per-zerin-e-amerikes-nese-reforma-ne-drejtesi-do-te-funksiononte-afera-e-inceneratoreve-do-te-ishte-zbardhur/
https://a2news.com/2022/08/24/reforma-ne-drejtesi-yuri-kim-kercenimet-ndaj-gjyqtareve-dhe-prokuroreve-te-papranueshme/

A2 CNN Livestream

Latest Videos