Reforma Zgjedhore, Gjiknuri: Mund të arrijmë marrëveshje para 31 majit

Nga A2 CNN
11 Maj 2020, 12:18 | Politikë
Reforma Zgjedhore, Gjiknuri: Mund të arrijmë marrëveshje para 31

Përfaqësuesi i socialistëve në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri, tha në përfundim të mbledhjes virtuale se dakordësia mes palëve do të bëjë të mundur arritjen e një drafti përfundimtar mbi reformën zgjedhore para afatit limit të caktuar, 31 majit.

“Ka një tendencë nga ana e opozitës për të fshirë gjithçka që është arritur, por nuk dua ta paragjykojmë, pasi ramë dakord të vazhdojmë aty ku e lamë”, tha Gjiknuri për mediat në përfundim të mbledhjes. “Unë do të bëj çmos që të arrihet një marrëveshje deri më 31 maj. Po të ketë kompromis, mundësia është që të arrihet edhe para 31 majit. Nëse nuk ka vullnet politik, pastaj nuk di ç’të them”.

Përfaqësuesja e opozitës parlamentare në këshill, Rudina Hajdari, konfirmoi se të mërkurën do të ketë një tjetër mbledhje, ku do të diskutohet për ndryshimin e sistemit. “Duhet të kuptojmë se duke qenë që tani votohet vetëm për partitë dhe jo kandidatët, kryetarët e partive marrin vendime vetëm për njëri-tjetrin dhe jo për qytetarët”, tha Hajdari.

Opozita, nga ana e saj, thotë se mazhoranca nuk ka vullnet politik për të gjetur konsensus për kërkesat e saj, që tashmë janë mbi tryezë. 

Oerd Bylykbashi tha për mediat: “Deklaratat e zotit Gjiknuri tregojnë edhe një herë mungesën e vullnetit politik të mazhorancës për të bërë një punë të bazuar në konsensus. Opozita kërkon shprehjen e qartë nga ana e mazhorancës se cili është qëndrimi i saj në lidhje me çështjet e mëdha që shtron OSBE\ODIHR”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos