
“Jemi mbështetës të mëdhenj të rendit ligjor, sundimit të ligjit e drejtësisë në vend. I kemi mbështetur me vite e do të vazhdojmë ta bëjmë. Reformat e ndërmarra janë me rëndësi, por kanë qenë dhe sfida, siç thoni. Për popullin besoj se ka qenë e vështirë që ndërsa janë marrë kaq reforma s'ka pasur shumë përparim me adresimin e çështjeve individuale nëpër gjykata, por tani ka ndodhur një reformë e gjykatave, po i shohim të përpiqen të zgjidhin çështjet e prapambetura, dhe Mbretëria e Bashkuar ka qenë shumë e gatshme të ndihmojë”.
Kështu u shpreh Alastair King-Smith, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, “Në Intervistë me Merita Haklaj” në A2 CNN kur foli për reformën në drejtësi në Shqipëri.
Ai theksoi se do të nisë një program i ri për rendin ligjor e shtetin e së drejtës. “Një program që shpresojmë të mbështesë e të përforcojë atë që kanë bërë partnerët e tjerë, dhe kam diskutuar me krerët e institucioneve se ku mund të ndihmojë Mbretërinë e Bashkuar. Kjo është diçka që Shqipëria duhet ta vazhdojë me ngulm. Nëse arrihet një rend ligjor i saktë shteti i së drejtës, përforcohet dhe demokratizimi që ka nisur Shqipëria, por edhe zhvillimi ekonomik dhe i biznesit që e duan të gjithë”. (A2 Televizion)