Shqiptarët në Angli, ambasadori: Shumë njerëz futen në borxhe të mëdha dhe paguajnë përmes krimit

Nga A2 CNN
10 Dhjetor 2021, 21:27 | Politikë
Shqiptarët në Angli, ambasadori: Shumë njerëz futen në

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Alastair King-Smith, u pyet në “Intervistë me Merita Haklaj” në A2 CNN edhe për emigrantët shqiptarë në Angli.

Ambasadori u shpreh se shqetësues është trafiku njerëzor, pasi shumë emigrantë futen në borxhe për të arritur në Angli dhe më pas duhet t’i shlyejnë ato përmes krimit.

“Keni prekur një element kyç. Është e trishtë që shumë njerëz nuk shohin shpresë që të kenë sukses në Shqipëri, dhe mendojnë se do të jetë më mirë tjetërkund. Ndonjëherë, dikush mund të zhvillojë aftësi dhe mundësi të mira dhe përvoja pune, por shpresoj që të rinjtë kur të shohin më shumë mundësi në Shqipëri. Në fakt, kur flas me disa prej tyre, janë vërtet duke e ndjekur atë trend e duan të investojnë në Shqipëri. Pra, nuk janë vetëm në atë drejtim. Por është e rëndësishme të krijojmë mundësi që njerëzit të shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe i nxis të gjithë të përdorin mënyrat ligjore të udhëtimit. Kemi një skemë botërore për tërheqjen e talenteve në teknologji për kërkime dhe arte. Duam të sigurohemi që ata që munden të studiojnë në Mbretërinë e Bashkuar, ta realizojnë. Shpresojmë që më pas edhe të kthehen. Ka një mundësi në atë drejtim, por duhen krijuar mundësi ekonomike në këtë vend e të lidhen me zhvillimin e aftësive. Së treti, përmendët çështjet me krimin. Jemi shumë të shqetësuar për trafikun njerëzor. Për shtimin e personave që kalojnë në mënyrë të paligjshme. Njerëz që futen në borxhe të mëdha që paguhen vetëm nëpërmjet krimit.

Numri i shkelësve të ligjit të huaj në burg, që është tregues i vogël është rreth 1500 në Britani e Uells. Është më shumë se vitin e shkuar. Jemi të shqetësuar për shtimin e dukurisë. S'duam të shohim njerëz të ndërmarrin udhëtime të rrezikshme. Të rrezikojnë jetën e të kapen në krim. Por janë vetëm një pjesë e vogël e atyre që janë në Britani nga Shqipëria, pasi pjesa më e madhe, dhe kam folur me diasporën kryejnë veprimtari ekonomike shumë frytdhënëse duke mbështetur Britaninë. Kemi diskutuar si të bashkëpunojmë që të ulet joshja për të udhëtuar në mënyrë të paligjshme e të përfshihesh në punë të jashtëligjshme, duke krijuar një cikël negativ njerëzish që arrestohen e që riatdhesohen”.

A ka momente ligjore që duhet të zgjidhim mes dy vendeve që ky bashkëpunim për të luftuar kriminalitetin mund të jetë më i frytshëm, më produktiv?

“Sapo jam kthyer nga Britania. Kam shoqëruar Ministrin e Brendshëm, zotin Çuçi dhe Sekretarin e Brendshëm, të cilët kanë pasur diskutime të nivelit të lartë për bashkëpunimin e dy qeverive në këtë fushë. Krimi i organizuar, siç përmenda, është dukuri botërore. Ka kriminalitet nga Amerika e Jugut deri në portet europiane, në Mbretërinë e Bashkuar, që kanë dhe lidhje me Shqipërinë. Duhet të bashkëpunojmë për këtë. Nuk ka mundësi tjetër. Duhet të kemi një qasje më të fortë parandaluese. Dy qeveritë kanë rënë dakord të investojmë për të parandaluar krimin dhe emigrimin e paligjshëm. Por dhe të investojmë për ta luftuar krimin bashkë. Këto grupe shfrytëzojnë të rinj në Shqipëri dhe në Mbretërinë e Bashkuar, në mënyrë shumë negative, me një ndikim të tmerrshëm mbi ta, por dhe mbi familjet e tyre. Po ashtu, vjedhin burimet e vendit. Duhet të bëjmë vërtet gjithçka për ta luftuar këtë. Është kënaqësi që qeveritë tona janë të angazhuara për këtë. Kryeministrat janë të angazhuar. Do të bëjmë gjithçka që mundemi”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos