
Një nga pjesëtarët e grupit të demokratëve që kërkon dorëheqjen e Lulzim Bashës, Arben Ristani ishte i ftuar në Ditarin e mbrëmjes në A2 ku foli rreth zhvillimeve të fundit në Partinë Demokratike dhe thirrjen e mbledhjeve të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar.
Arben Ristani komentoi deklarata e Bashës në takimet e fundit me demokratët se do të pranojë zërat kritikë brenda partisë. Sipas ish-sekretarit të Përgjithshëm, këto deklarata të kreut të partisë janë të pasinqerta, pasi që tani krerët e disa institucioneve në PD nuk janë ftuar në mbledhjen e Kryesisë të dielën pasi kanë dalë hapur kundër tij.
“Basha e ka nisur keq që në këtë moment. Në Partinë Demokratike ka disa institucione statutore siç janë; kryetari i Këshillit Kombëtar. Kryetari i Komisionit të Apelit, Kryetari i Komisionit Zgjedhor dhe disa institucione të tjera brenda partisë të cilët për një handikap të statusit nuk janë pjesë e Kryesisë, por që në mënyrë të vazhdueshme në mbledhjet e kryesisë të Partisë Demokratike. Por për faktin që më shumë se një prej tyre ka kërkuar dorëheqjen e Bashës, nuk janë thërritur në mbledhjen aktuale të Kryesisë. Kjo për të treguar që nuk është i sinqertë deklarimi. Basha është shquar në mënyrë të vazhdueshme për mungesën e sinqeritetit dhe kjo është dhe një prej arsyet përse shqiptarët nuk iu bindën për t’i dhënë votën masive që PD të fitonte”, tha Ristani.
Më tej, anëtari i Këshillit Kombëtar, Arben Ristani u shpreh se në zgjedhjet e korrikut për kreun e partisë, Basha do të tentojë të bëjë të njëjtën gjë si 4 vjet më parë, ku pati dhe dyshime se u mbushën kutitë, por se kandidatët rivalë nuk do ta lejojnë.
“Duke u nisur nga e kaluar ka dyshime që jo. Në vitin 2017 pati zgjedhje ku kandidatëve rivalë nuk iu dha lista e votuesve. Ku z.Basha luajti ngriva shkriva, në fakt duhet të jepte dorëheqjen. Dhe ku më pas pati dyshime që kutitë u mbushën. Në këto kushte, dyshimet janë që mund ta përsërisë një sjellje të tillë, por nuk do ta ketë të lehtë pasi kandidatët rivalë nuk do ta lejojnë”, përfundoi Ristani. (A2 Televizion)