Refuzimi i propozimit për zgjedhjet serbe, ambasadorët e Quintit: Jemi të zhgënjyer nga Kosova

Nga A2 CNN
23 Mars 2022, 16:50 | Kosova
Refuzimi i propozimit për zgjedhjet serbe, ambasadorët e Quintit: Jemi

Ndërkombëtarët kritikojnë Kosovën për refuzimin e propozimit për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë edhe në territorin e saj. Ambasadorët e Francës, Italisë, Britanisë, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara shprehen të zhgënjyer për vendimin dhe u bëjnë thirrje palëve të përmbahen nga retorika që shton tensionet dhe incidentet.

“Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës dështoi të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë edhe pjesëtarët e grupeve minoritare”, deklaruan ambasadorët.

Megjithatë, kryeministri Albin Kurti, tha se nuk është qeveria e tij që pamundëson votimin e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e 3 prillit të Serbisë, por vetë Beogradi që nuk lejon votimin me postë dhe se nuk ka vendosur në funksion zyrën e ndërlidhjes në Prishtinë.

 “Nuk do të thosha që Qeveria e Kosovës ka marr vendim për mos mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, por nuk ka marrëveshje paraprake dhe se natyrisht paraqet kushtin për mbajtje të atyre zgjedhjeve e që nuk është plotësuar. Ne kemi pritur një shkëmbim normal të letrave, të kërkesës së tyre po kjo nuk ka ndodhur”, deklaroi kryeministri kosovar Albin Kurti.

Kurti komentoi dhe thirrjen e presidentit serb për protesta në Kosovë, duke theksuar se diçka e tillë nuk kontribuon në raportet e mira mes vendeve. Ai u bëri thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb të mos marrin pjesë në manifestime të tilla.

Ndërkohë, qeveria e Kosovës zgjeroi pakon e sanksioneve ekonomike ndaj Bjellorusisë dhe Rusisë pas pushtimit të Ukrainës, në koordinim me pakon e katërt të masave të miratuara nga BE dhe SHBA.

 “Sanksionet e zgjeruara përfshijnë gjithashtu ngrirje të aseteve bankare, institucionet financiare dhe individë ndalimin e qasjes së tyre në tregjet financiare, ndalimin e transmetimit të mediave propaganduese, materiale të ndryshme që mundtë përdoren në makinerinë e luftës, restrikcionet e Bjellorusisë për largimin e mundësisë së importeve të mallrave teknologjike si kundërpërgjigje e mbështetjes së luftës së Rusisë në Ukrainë dhe masa të tjera restriktive që shënjeshtrojnë ndërmarrjet e rëndësishme ruse, elita dhe aktorë politik të përfshirë në pushtimin rus në Ukrainë”, sqaroi ministrja e Jashtme Donika Gërvalla.

Individët gjithashtu do t’i nënshtrohen ndalimit të udhëtimit apo transitit në vendet që i zbatojnë këto sanksione. Gjithashtu, qeveria e Kosovës ka ndarë 100 mijë euro për dërgimin e kontingjentit të parë të ndihmave humanitare në Ukrainë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos