
Europa nuk mund të heqë dorë kollaj dhe shpejt nga gazi, qymyri dhe nafta ruse. Ky ishte një ndër mesazhet që përcolli ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, gjatë vizitës zyrtare në Kosovë. Duke mbrojtur hezitimin e vendit të saj për të ndaluar importin e burimeve energjetike ruse, kryediplomatja e Berlinit tha se kjo po bëhet për të mbrojtur europianët.
“Nëse ne do të ndalonim të gjithë importin në Gjermani dhe në vendet e tjera europiane brenda natës, do të bënte që ne të mos kishim elektricitet apo ngrohje për disa javë. A do të kishte nder më të madh për presidentin rus se ky? Sa ditë mund të duronim me njerëzit jo në gjendje për të shkuar në punë, pa elektricitet në parashkollor, të mos jemi në gjendje të mbajmë spitalet hapur? Ky është destabiliteti që presidenti rus po dëshiron”, theksoi ajo.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri Albin Kurti, foli për një luftë hibride që rrezikon të shndërrohet në reale.
“Edhe në Ballkanin Perëndimor ka luftë hibride të udhëhequr nga Federata Ruse, duke mos harruar se ata e kanë qendrën humanitare të ashtuquajtur ‘ruse’ në Nish dhe‘Sputniku’ qendrën regjionale në Ballkan e ka në Beograd. Ne, sigurisht që nuk frikësohemi por jemi të kujdesshëm meqenëse presidenti despotik, Putin dikur na përmendte neve një herë në muaj e tash disa herë në javë. Krijon dhe sajon analogji të paqena vetëm e vetëm të arsyetojë imperializmin rus dhe hegjemoninë ruse që është nostalgjike për perandorinë e dikurshme. Pra është e rëndësishme të kuptojmë se nuk është në rrezik vetëm Ukraina”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti i shprehu pakënaqësi për vonesën e madhe të Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave.
Ministrja gjermane pranoi plotësimin e kushteve, teksa kërkoi përparim në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Ndër të tjera, theksoi se Kosova nuk mund të marrë statusin e vendit kandidat për ne BE pa normalizuar raportet me Serbinë. (A2 Televizion)