Ulen çmimet në Kosovë: Nga 1.65 euro nafta do të zbresë në 1.35 euro

Nga A2 CNN
10 Mars 2022, 16:18 | Kosova
Ulen çmimet në Kosovë: Nga 1.65 euro nafta do të

Në Kosovë ka nisur ulja e çmimeve të karburantit. Një litër naftë po tregtohet sot me 1.65 euro, ndërsa të mërkurën shitej me 1.82euro. Por ka dhe disa pika që ende po abuzojnë. Drejtuesit e kompanive më të mëdha të tregtimit të karburantit, njoftuan se çmimi do të rikthehet në nivelet e parakrizës deri në 1.35 euro për litër.

“Çmimet kanë pësuar një rënie për shkak që SHBA-ja, ka shtuar prodhimin si pasojë e refuzimit dhe sanksioneve të produkteve ruse (naftës), dhe me këtë rast sigurisht është shtuar oferta në regjionin tonë dhe në pjesën tjetër të Evropës. Megjithatë, lajm i mirë tjetër është se shtetet arabe kanë pranuar ta rrisin prodhimin me ç’rast ka ndikuar menjëherë të ketë rënie në bursat ndërkombëtare, përfshirë edhe regjionin tonë”, deklaroi pronari i një kompanie karburanti, Shkëlzen Jusaj.

Rritja e çmimeve në Kosovë bëri që qytetarët të dynden në dyqane dhe pika karburanti për të krijuar rezerva, nga frika e një shtrenjtimi të mëtejshëm.

“Ne jemi duke marrë naftë për arsye se po thonë që s’ka. Po duhet të marrim naftë, s’po kemi qare. Po na duhet për të lëvizur, besa në Kosovë shumë lirë po paguhemi, s’ka të ardhura në Kosovë”, thotë një qytetar.

“Po shoh se ka një fluks shumë të madh të qytetarëve, është edhe panik normal që rrjetet sociale e kanë bërë të veten prej lajmeve që janë duke ardhur nga Ukraina, e tash edhe prej Serbisë për ndalimin e miellit, shtrenjtimi i vajit. Besoj që duhen dëgjuar rekomandimet e Qeverisë që po thotë se nuk ka nevojë për panik”, shprehet një tjetër.

Kryeministri Albin Kurti njoftoi se qeveria po merr masa për të ndihmuar qytetarë në këto kohë krize. Ai siguroi se Kosova ka rezerva për produkte ushqimore dhe i ka ftuar qytetarët të mos përhapin panik dhe ata që kanë blerë më tepër miell se ju duhet, ta dërgojnë atë nëpër furra. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos