Refuzohet kërkesa për liri me kusht, Thaçi dhe Veseli mbesin në paraburgimin e Hagës

Nga A2 CNN
9 Qershor 2022, 13:47 | Kosova
Refuzohet kërkesa për liri me kusht, Thaçi dhe Veseli mbesin

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, do të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgimin e Hagës. Vendimi është marrë nga Gjykata Speciale më 26 maj dhe është bërë publik vetëm sot në uebsajtin e tyre zyrtar.

Lidhur me këtë rast, gjyqtari i procedurës paraprake ka kërkuar që avokatët mbrojtës të dërgojnë parashtresat e tyre për një shqyrtim tjetër të paraburgimit deri më 29 qershor. Prokurorisë i është dhënë afat që këtë shqyrtim ta bëjë deri më 6 korrik.

“Gjykata refuzon kërkesën për mbajtjen e një seance dëgjimore. Urdhëron vazhdimin e paraburgimit për Hashim Thaçin”, thuhet në vendim.

I njëjti njoftim është bërë edhe për Kadri Veselin. Ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, po mbahen në paraburgimin e Hagës që prej nëntorit të vitit 2020. Aktakuza ndaj tyre është konfirmuar më 26 tetor të dy viteve më parë, ndërsa të gjithë janë deklaruar të pafajshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos