Regjistrimi i PD në garë, Celibashi apel gjykatës: Çështjet zgjedhore kanë prioritet

Nga A2 CNN
8 Shkurt 2023, 14:56 | Politikë
Regjistrimi i PD në garë, Celibashi apel gjykatës:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi komisionerët e PS, PL dhe PSD-së por të njëjtin fat nuk patën ata të Partisë Demokratike. Ilirjan Celibashi shprehet se KZAZ mund të funksionojnë edhe me katër anëtarë, ndërsa i drejtoi një apel gjykatës që t’i japë zgjidhje konfliktit për drejtimin e PD-së.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i bëri apel Gjykatës që t’i japë zgjidhje çështjes së drejtimit të Partisë Demokratike. Sipas tij, çështjet që lidhen me fatet e proceseve zgjedhore kanë përparësi ndaj padive të tjera, ndaj duhet trajtuar me prioritet nga drejtësia.

“Këto janë në krye të interesave sepse lidhen me demokracinë dhe plurarizmin politik, thënë këtë, edhe kjo çështja e udhëheqësisë së PD nuk mund të trajtohet hajde kur të kemi kohë, të shikojmë ngarkesën.”

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi

Këtë deklaratë kreu i KQZ-së e bëri pas miratimit të komisionerëve të Partisë Socialiste, Partisë së Lirisë dhe atyre të Socialdemokratëve. Ndërsa komisionerët e PD-së mbetën pezull me argumentin se KZAZ mund të funksionojnë edhe me katër anëtarë.

“Është kuorumi minimumi prej 4 anëtarësh. Ky kuorum e bën funksional komisionin zonal të administrimit zgjedhor. Në momentin më të përshtatshëm të mundshëm do të emërojmë edhe anëtarët e KZAZ të propozuar nga PD. Të vendosurit sipas ligjit presupozon edhe të vendosurit me një lloj përgjegjshmërie për fatin e procesit zgjedhor.”

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi

Afati i fundit për regjistrimin e partive është data 6 mars ku KQZ duhet të vendosë edhe për fatin e PD-së. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/02/08/kqz-miraton-anetaret-e-kzaz-ve-te-ps-pl-dhe-psd-celibashi-deri-ne-date-7-caktohet-legjitimiteti-per-perfaqesuesin-e-pd/

A2 CNN Livestream

Latest Videos