Rëndohet situata në Maqedoninë e Veriut, mjekja Arlinda Osmani: Fundi i pandemisë, pikëpyetje e madhe

Nga A2 CNN
27 Janar 2022, 12:05 | Ballkani
Rëndohet situata në Maqedoninë e Veriut, mjekja Arlinda Osmani:

Rëndohet situata pandemike në Maqedoninë e Veriut, ku sipas Institutit të Shëndetit Publik, në 24 orët e fundit, janë shënuar 2019 raste të reja dhe 19 viktima. Që nga nisja e pandemisë, në vendin fqinj janë regjistruar 261 347 raste me koronavirus, ndërsa 8285 persona kanë humbur jetën.

Për këtë rëndim të situatës, disa klinika dhe spitale sërish do të shndërrohen në qendra për Covid-19. “Me përhapjen e Omicron, e prisnim që do të rritej numri i personave pozitiv, rrjedhimisht pritet edhe rritja e shtrimeve në spitale. Aq më tepër që vaksinimi i popullatës ende nuk ka bërë që të arrihet imuniteti kolektiv”, tha në Ditarin e A2 CNN, Arlinda Osmani, mjeke infektologe në Klinikën e Infektive në Shkup. “Kjo është bërë për shkak të rritjes së numrit të pacientëve që kanë nevojë për shtrim në spital. Kryesisht janë moshë e tretë, persona të pavaksinuar dhe kanë mes tyre edhe të vaksinuar me dy doza, por ka kaluar periudha prej 5 muajsh që kanë marrë vaksinën, pa marrë dozën e tretë. Rastet e moshave më të reja janë shumë më të rralla”.

Sipas Osmanit, nuk dihet ende kur do të vijë fundi i pandemisë. “Dy vitet e fundit u vërtetua që shumë gjëra që ne i dinim për viruset nuk dolën të vërteta. Ky infeksion nuk na bën që të kemi aq shumë besim për kohën kur do t’i vijë fundi. Do të ketë një ulje pas pikut të variantit Omicron, por fundi i pandemisë është pikëpyetje shumë e madhe”, tha ajo.

“Imuniteti i tufës duhet të vijë me 80% të popullsisë të vaksinuar, shpresoj të mos vijë përmes infektimit të të gjithë personave. Historia ka treguar që pandemitë përfundojnë me arritjen e imunitetit të tufës. 100 vite më parë, me gripin spanjoll humbën jetën 50-100 milionë persona. Tani shkenca ka përparuar, vaksina doli në kohë rekord. Nuk duhet të lejojmë që imuniteti i tufës të arrihet përmes infektimit të të gjithëve”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos