
Ministrja Belinda Balluku dhe Drejtori i ARRSH, Ergys Verdho kanë inspektuar masat e marra për pastrimin dhe kriposjen e rrugës në Qafë Thanë.
Ministrja Balluku theksoi se kjo është një situatë e jashtëzakonshme dhe kërkon vëmendje maksimale, ndërsa ka garantuar se janë marrë të gjitha masat për të pasur sigurinë rrugore në këto momente.
"Në aksin Tiranë-Korçë-Kapshticë situata është e qëndrueshme. Kriposja ka nisur që dje. I paraprimë çdo situate në të gjithë akset kombëtare. Priten reshje të reja bore. Asnjë aks nuk është i pambuluar. Kemi marrë të gjitha masat për të pasur sigurinë rrugore maksimale në këto momente. Është situatë e jashtëzakonshme ndaj kërkojmë vëmendje të veçantë për kujdes në rrugë se nuk është e lehtë”.
Kreu i ARRSH-së paralajmëroi se problematike situata paraqitet në zonën e Dardhës, pasi janë dy kthesa që kanë ngrirë sepse nuk i zë dielli, kurse në Veri, problematike paraqitet situata në zonën e Thethit. Ndërsa siguroi që janë të gjitha kapacitetet dhe po punohet ngushtë edhe me ushtrinë.
“Problematikë rruga e Dardhës në dy kthesa ku nuk zë dielli po punohet për kriposjen se ka ngricë. Në aksin e Steblevës me Peshkopinë, Qafa e Malit dhe aktualisht janë të angazhuara 350 mjete si dhe 1000 punonjës në të gjithë vendin, duke mbajtur të hapura të gjitha akset kombëtare pavarësisht kushteve të motit me reshje dëbore dhe temperatura të ulëta. I kemi të gjitha kapacitetet. Kurse në Veri, problematike paraqitet situata në zonën e Thethit”.
Balluku theksoi gjithashtu se në zonën e Thethit janë të angazhuar edhe buldozerët e ushtrisë për hapjen e rrugës dhe siguroi që do të punohet ngushtë me të gjitha bashkitë që kanë probleme.
“Thethi i përket Shkodrës dhe asnjë bashki nuk e ka kapacitetin ta përballojë. Po punojmë ngushtë edhe me ushtrinë, ne do të vazhdojmë punën, pasi kemi pasur telefonata edhe nga banorë të zonës, por fatkeqësisht nuk mund të hapet në një ditë. Ne kemi buldozerët e ushtrisë atje. Me forcat e shumta dhe me njerëz po punojmë gjatë gjithë kohës. Është një ngricë totale. Jemi të gatshëm t’i përgjigjemi të gjitha bashkive”, përfundoi Balluku. (A2 Televizion)