
Rrebeshet e shiut që prekën vendin tonë në fundjavën e kaluar ishin më problematikë në veri të vendit, veçanërisht në njësitë administrative të bashkisë së Tropojës. Inerte të rëna nga shpatet e maleve, rrugë të shembura, ura të dëmtuara dhe zona të tëra të bllokuara si pasojë e daljes së përrenjve nga shtrati ishin pasojat më te cilat mijëra banorë të këtyre zonave u përballën për orë të tëra, por fatmirësisht pa lëndime në njerëz.
Edhe pse bashkia e Tropojës me ndërmarrjet dhe punëtorët në varësi u munduan t’u vinin në ndihmë banorëve të prekur nga fenomeni natyror, duket se puna e tyre me mungesë të theksuar në mjete ka lënë shumë për të dëshiruar.
Kamera e A2 CNN ishte në njësinë administrative të Bytyçit, ku banorët duket se kanë përballuar vetë situatën. Madje edhe hapjen e rrugës që kishte izoluar dhjetëra fshatra po e realizonin me shpenzimet e veta.
Situata e rëndë si pasojë e reshjeve është pranuar edhe nga Komisioni i Mbrojtjes civile në prefekturën e Kukësit, ku drejtori i policisë së qarkut dhe përgjegjësi i bordit të kullimit prekën dy problematika që kanë sjellë për pasojë situatën e krijuar.
Në katër vitet e fundit askush nuk është kujtuar për kanalet e kullimit. Këto shira ishin vetëm fillimi i sezonit të reshjeve të vjeshtës dhe më pas dimrit dhe masat që duhet të merren janë emergjente në mënyrë që situata të ngjashme të mos shkaktojnë dëme më serioze si në rrugë e ura ashtu edhe në toka bujqësore dhe bagëti. (A2 Televizion)