Zjarri në pyllin me pisha në Peshtan është riaktivizuar. Burime nga ky fshat pohojnë se flakët po përhapen me shpejtësi për shkak të terrenit "grykë" dhe të erërave të forta.
Nga zjarri i djeshëm kishte mbetur një vatër zjarri e cila është riaktivizuar duke shkaktuar vatra të tjera.
Drejtori i zjarrfikëseve të bashkisë Fier Zija Hyka ka pohuar se situata është shumë e vështirë. Tre grupe zjarrfikëse janë në terren, e ndërsa kërkohen përforcime nga repartet e zjarrfikësve të Patosit.
Zjarri po përhapet me shpejtësi në një sipërfaqe të gjerë, duke rrezikuar rrugën e vjetër rurale Fier - Cakran në vendin e quajtur "Qafa e Shkozës".
“Fillimisht priten ndihma nga kolegët e Patosit dhe në qoftë se situata vazhdon e njëjtë do kërkohet ndihmë nga helikopteri si një ditë më parë”, ka përfunduar shefi zjarrfikseve të bashkisë Fier Zija Hyka.
Terreni është shumë i vështirë, automjetet nuk shkojnë deri afër vatrave të zjarrit dhe punonjësit luftojnë me flakët me pompa uji në shpinë dhe mjete rrethanore, kazma e lopata për të shuar zjarrin. (A2 Televizion)