Rreth 50 shtetas shqiptarë kanë mbërritur në aeroportin Nënë Tereza, pasi janë të gjithë riatdhesuar nga Franca.
Shtetasit, pjesa më e madhe prindër me fëmijë, janë kthyer me avion të posaçëm. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me policinë franceze, shtet ku iu është refuzuar kërkesa për azil.

Rasti i rikthimit të një numri të madh shtetasish i ofroi mundësinë zv. ministres të brendshme Rovena Voda të ritheksojë faktin se “çdo përpjekje për kërkim azili është e kotë, sepse Shqipëria është në listën e vendeve të sigurta” dhe se mundësitë për të emigruar jashtë shtetit duhet të kalojnë vetëm në rrugë ligjore.

Eduart Merkaj, Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit ka theksuar se gjatë këtij 5 - mujori, fluturimet e riatdhesimit janë rritur me Francën, por edhe me shumë vende të tjera të BE-së. (A2 Televizion)