
Prurjet natyrore në kaskadën e Drinit janë 800 m3/s, ndërsa shkarkimet janë në total rreth 3000 m3/s, nga puna e turbinave për prodhimin e energjisë dhe nga portat në të tre HEC-et.
Shkarkimet më të larta prej 900 m3/s bëhen nga portat e Vaut të Dejës pasi edhe niveli i liqenit të Vaut të Dejës është pranë nivelit kritik. Situata duket aktualisht nën kontroll pasi edhe nga zona e nën Shkodrës uji po tërhiqet, por nuk do të vijojë për shumë kohë.
Mbrëmja e së dielës rikthen reshjet në Shqipëri ku sërish, sasitë më të larta pritet të bien në zonat veriore, pikërisht në pellgun ujëmbledhës të lumit Drin që ushqen të dre digat në kaskadën e tij. Reshjet do të jenë mesatare dhe përkohësisht intensive të hënën dhe të martën, e mërkura sjell një ndalim të reshjeve në veri, por sërish dita e enjte sjell reshje me intensitet të paktën mesatar.
Në kushtet e zonave të përmbytura, rikthimi i reshjeve, temperaturat e larta që do të shkrijnë dëborën deri në 1000 m lartësi por akoma më tepër reshjet intensive që do të bien në territorin e Malit të Zi do të çojnë në zgjerimin e zonave të përmbytura. Një përmirësim jetëgjatë i kushteve të motit pritet në gjysmën e dytë të muajit shkurt, për zonat veriore dhe të gjithë territorin e Shqipërisë. (A2 Televizion)