
Edicioni 2022-2023 i Champions League hyn në fazën më të rëndësishme, pasi do të luhen ndeshjet me eliminim direkt. Këtë të martë, më 14 shkurt, zbresin në fushë dy çiftet e para.
E gjithë vëmendja është te supersfida ndërmjet Paris Saint Germain dhe Bayern Munchen. Edhe pse mbeten një skuadër plot me yje, situata te francezët nuk është më e mira. Tensionet janë të mëdha. Në njërën anë është përplasja e kapitenit Marquinhos me drejtorin sportiv Luis Campos dhe portierin Gianluigi Donnarumma.
Aspak e qetë edhe situata e Neymar me trajnerin Galtier, pas humbjes së pësuar në kampionat me Monaco. Sikur kjo të mos mjaftonte, Mbappe dhe Messi nuk janë në formë optimale, pasi dy yjet e ekipit sapo janë rikuperuar nga lëndimet.
Interes të veçantë ka edhe sfida e Milanit me Tottenhamin e Antonio Contes. Kuqezinjtë po përjetojnë një prej momenteve më të dobta të viteve të fundit dhe pasi kanë dalë përfundimisht nga gara për titull, e shohin Champions-in si mënyrën që të shpëtojnë sezonin. Objektivi është që të shkojnë sa më larg në eventin më të rëndësishëm të futbollit.
Edhe Tottenham nuk po kalon një prej momenteve më të mirë të sezonit. Pas shumë ulje- ngritjeve, Spurs paraqiten në këtë ndeshje pas disfatës 4-1 në kampionat ndaj Leicester. Anglezët kanë avantazhin e historisë, pasi nuk kanë humbur kurrë në ndeshje zyrtare përballë Milanit, duke regjistruar dy barazime dhe dy fitore. (A2 Televizion)