Rikthehet në krye të PD, Basha: E di që ka mosbesim, jemi gati për betejën me qeverinë

Nga A2 CNN
30 Korrik 2023, 12:34 | Politikë
Rikthehet në krye të PD, Basha: E di që ka mosbesim, jemi gati

Rreth një vit e gjysmë pas dorëheqjes, Lulzim Basha u rikthye në krye të Partisë Demokratike. Kur la detyrën në marsin e 2022 deklaroi se bëri një hap pas për të bashkuar partinë, por në kthim e gjeti edhe më të përçarë.

Me votën e 16,196 anëtarëve, Basha mundi në një garë pa garë Gjergj Hanin. Në fjalën e tij të parë si kryetar i rikthyer në krye të PD, Basha më shumë konstatoi ndarjen në grupime duke përdorur dhe metaforën e brigjeve të një lumi.

“Jam i vetëdijshëm për kohën e vështirë që kemi kaluar dhe sfidat para të cilave ndodhet PD dhe opozita. E di që lumenjtë e mosbesimit rrjedhin akoma. Ca të vërtetë dhe ca të sponsorizuar nga ata që duan me çdo kusht të ruajnë status-quo-në”, tha Basha.

Situatën brenda kampit blu e krahasoi me temperaturat e larta që po përjeton vendi në javët e fundit. 
“Pjesëmarrjen me mijëra në temperatura të nxehta të kohës por dhe artificiale”, shtoi ai.

Lulzim Basha që në fjalën e parë, kërkoi mobilizim të strukturave për betejën e radhës politike, duke iu referuar asaj me qeverinë, dhe tha se beteja nuk është e pamundur. 

“Nuk ka për të qenë e lehtë, por demokratët provuan sot se jemi në gjendje të aftë për t’iu përveshur një tjetër beteje në dukje të pamundur po jo të paarritshme. Ndaj le ta nisim edhe njëherë rrugën”, deklaroi Basha.

Sfidanti Gjergj Hani qëndroi në heshtje në krah të kreut të zgjedhur të PD. Si fitues i garës Basha nuk harroi ta falenderonte duke i dhënë atributin e ngritjes së debatit politik në një nivel tjetër edhe pse bënë një fushatë të heshtur. 

“Falenderim të veçante për Gjergji Hanin që me fuqinë e argumentit të tij me pastërtinë e shpirtit të tij me përkushtimin ndaj PD-së të djathtës shqiptare ktheu këtë proces në një debat të vërtetë idesh dhe vlerash siç duan dhe presin shqiptarët”, përfundoi kryedemokrati.

Grupi që mbështet Gazment Bardhin qëndroi në heshtje gjatë gjithë ditës, por pas shpalljes së rezultatit Sekretari i Përgjithshëm pati një reagim me ironi për procesin zgjedhor. 

“Çfarë surprize. Sapo mbërriti në aeroport kurora e “Mbetit të Mbretërisë së Bashkuar” Statusi s’ka lidhje me asnjë ngjarje joekzistente! Pushime të mbara”, shkruante Bardhi.

I gjithë procesi zgjedhor u konsiderua i qetë dhe nuk pati incidente, por i vetmi që prishi festën e demokratëve ishte thyerja e një vazo me lule. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos