“Rikthehet” presidenti, Meta "harron" Ramën, vë nën sulm Lulzim Bashën

Nga A2 CNN
22 Nëntor 2021, 21:19 | Politikë
“Rikthehet” presidenti, Meta "harron" Ramën, vë

Përplasjes me Lulzim Bashën, Ilir Meta zgjodhi t’i japë zë. Pas katër muaj, Presidenti i Republikës thirri një konferencë për shtyp. Ndryshe nga muaji qershor, ku kryefjalë e akuzave ishte Edi Rama, shënjestra e tij tashmë ishte Lulzim Basha.

Në disa faqe material të përgatitur, presidenti u kujdes të nxirrte në pah katër përgjegjësitë e Lulzim Bashës në politikë, ku theksin e vuri tek bojkoti i zgjedhjeve vendore të 2019, të shoqëruara me protesta të dhunshme në rrugët e Tiranës.

“Më 6 qershor ndodhesha për një vizitë në Gjermani. Në të njëjtën kohë erdhi dhe Basha në Gjermani dhe iu lut presidentit me lot në sy, në prani të personave të tjerë që të anulonte protestën e 8 qershorit dhe po kështu të shtynte edhe zgjedhjet. Kjo sepse sipas Bashës, protesta që vetë kishte organizuar për në 8 qershor do të degradonte në dhunë dhe se ai nuk e komandonte dot popullin opozitar. I trembur dhe i panikosur për përgjegjësit e tij përballë popullit opozitar të cilin në sa e sa raste e gënjente duke i premtuar rrëzimin e qeverisë, si dhe i frikësuar nga përgjegjësitë ligjore për dhunën, Lulzim Basha iu ul në gjunjë presidentit që të shtynte zgjedhjet në 30 qershor", u shpreh Meta.

Por përse Lulzim Basha ia kishte bërë këtë kërkesë Metës në Gjermani?

Mes fjalëve për të përshkruar Lulzim Bashën, presidenti kishte përzgjedhur edhe të pabesin duke i bërë një pyetje publike se kujt i shërbeu me veprimet e tij në procesin zgjedhor të 2019.

"PR, PAA, LSI i paraqitën KQZ kërkesat për t’u regjistruar si konkurrent, por edhe për të marrë masat për organizimin e tyre më 13 tetor. Ndërkohë që Lulzim Basha nuk paraqiti asnjë kërkesë. Basha bojkotoi dhe 13 tetorin dhe aleatët e tij. Në bazë këtyre kërkesave në 3 gusht, Zguri thërriti mbledhjen e KQZ për këtë kërkesë, por nuk u realizua pasi nuk u bë kuorumi. Lind pyetja për këdo që dëgjon gënjeshtra. Kujt i shërbeu Basha duke mos e regjistruar partinë edhe për zgjedhjet e 13 tetorit. Bojkoti i Bashës ishte në sinkron të plotë me bojkotin e 4 anëtarëve të KQZ të PS që organizuan zgjedhjet", shtoi presidenti.

Fjalët e Metës nuk kaluan pa reagimin e Partisë Demokratike e cila menjëherë pas përfundimit të konferencës i cilësoi fjalët e presidentit si diversione e mashtrime duke shtuar se demokratët nuk i kanë asnjë borxh dhe nuk ia zgjidhin dot hallet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos