Rikthimi i Dinamos së femrave

Nga A2 CNN
2 Prill 2021, 21:44 | Sporte të tjera
Rikthimi i Dinamos së femrave

Të shpallesh kampion dhe më pas… të shkrihesh si klub. Historitë me falimentime në skuadra që i kanë dhënë tempin sporteve të ndryshme janë dëgjuar shpesh, por kur rikthimi i tyre nis të mos duket në horizont, trishtimi që të pushton, merr përmasa më të mëdha edhe se vetë mungesa e tyre.

E tillë është edhe historia e Dinamos së madhe të vajzave të volejbollit, që në vitin 2007 shkeli për herë të fundit në parketin ku bëri historinë e këtij sporti në Shqipëri. 20 tituj kampion të ngecur prej vitesh në librat e rekordeve dhe një emër që sa herë përmendet, të katapulton menjëherë pas në kohë, në vitet 70, 80.

Dinamo e Ela Tases, Lulëzime Dukes, Mimoza Ibrahimit, Alketo Doçit, që janë vetëm një pjesë e historisë. Dinamo e trajnerit të madh, Kreshnik Tartari.

14 vjet pas thatësirës dhe “varrosjes” së këtij emri në volejbollin shqiptar, por jo vetëm, duket se ka dritë në fund të tunelit. Emri i madh i këtij klubi është shfaqur sërish dhe mbi shpinë e mbajnë disa vajza të reja, të talentuar, të vetëdijshme për peshën e saj dhe me shumë pasion për ta rikthyer në elitën e këtij sporti.

Dinamo po luan sërish dhe e ka rinisur rrugëtimin e saj ashtu siç duhet, nga moshat. Altin Mërtiri, një ish i këtij sporti është ai që ka marrë përsipër të vendosë në vend identitetin e kësaj embleme, me një kapitull të ri, por të frymëzuar pa diskutim nga ajo e kaluar e lavdishme.

Lajmi i kthimit në jetë të kësaj skuadre nuk mund të mos gëzojë arkitektin e Dinamos së madhe dhe të lavdishme të vajzave, që edhe i shkëputur dhe larg atdheut prej disa kohësh, e ka të vështirë t’i mbajë emocionet. Nderi i Kombit, Kreshnik Tartari.

E ndikuar nga lidhja e familjes me sportin, talenti pa diskutim, por mbi të gjitha puna e madhe dhe e palodhur e bënë atë që sot të gjithë e njohin si një prej yjeve të volejbollit shqiptar, Ela Tase. Kënaqësia është e veçantë për Elën, e cila e sheh plotësisht të mundur lartësimin edhe njëherë të këtij emri.

Njohja e së kaluarës dhe pesha e asaj fanelle është esenciale për vajzat e reja të Dinamos që diçka të tillë tashmë e kanë mësuar dhe duan që këtë aspekt ta shfrytëzojnë si motivim për të ardhmen.

Rikthimi në treshen më të mirë të Europës apo tituj kampion në Ballkan sot ndoshta duken të pamundur, me nivelin dhe hapat që sporti ecën jashtë kufijve të Shqipërisë. Por, rikthimi në elitë, titulli kampion dhe ngjitja në majën e sportit kombëtar është plotësisht i realizueshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos